Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me anë të një postimi në faqen zyrtare të ministrisë, gjatë Forumit Ekonomik të Delphit, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar në panelin e diskutimit “Nga ‘Fuqia e Butë’ te ‘Realiteti i Vështirë’, duke theksuar se Europa po përshtatet gjithnjë e më humë me një botë të paparashikueshme.
Postimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
Në panelin “Nga përgjegjësia në përfitim: Si mund të shndërrohet anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE në një fitore gjeopolitike evropiane”, përcolla një mesazh thelbësor dhe të qartë:
🔹ndër shumë pikat e saj të forta, Shqipëria i sjell Bashkimit Evropian vlera kyçe, shpesh të nënvlerësuara, por me rëndësi strategjike.
🔹Së pari, parashikueshmëri dhe besueshmëri në qëndrimet e saj, të dëshmuara vazhdimisht përmes harmonizimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP), një linjëzim i provuar me veprime konkrete dhe jo vetëm me deklarata.
🔹Së dyti, një angazhim i palëkundur i të gjithë vendit dhe shoqërisë shqiptare ndaj orientimit evropian, si një zgjedhje strategjike e pakthyeshme dhe si bosht themelor i vizionit tonë kombëtar.
🔹Së treti, një investim i qëndrueshëm në bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal, në stabilitet dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Shqipëria ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve për ta afruar Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në transformimin e perceptimit për rajonin: nga një hapësirë dikur e identifikuar me ndarje dhe paqëndrueshmëri, në një rajon gjithnjë e më shumë të njohur si pjesë integrale e Evropës Juglindore. Në këtë proces, Shqipëria krenohet që udhëheq me shembull dhe vizion.
🔹Në një kohë kur Bashkimi Evropian duhet të rikonfirmojë rolin e tij në një botë gjithnjë e më të paparashikueshme dhe të veprojë si një aktor gjeopolitik më i fortë, koherenca dhe besueshmëria nuk janë thjesht elemente teknike, ato janë asete strategjike me vlerë të lartë politike.









