Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe kanë rënduar situatën humanitare në vend.
Sipas zyrës humanitare të OKB-së, rreth 1,500 objekte infrastrukturore janë dëmtuar, ndërsa ngjarja është cilësuar si “emergjencë kombëtare” që prek të paktën shtatë shtete në veri të Venezuelës.
Si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet sizmike, mbi 3,100 familje janë detyruar të braktisin banesat e tyre. Ndërkohë, autoritetet kanë regjistruar mbi 430 paslëkundje, duke rritur frikën dhe pasigurinë tek banorët.
Gjatë 24 orëve të fundit janë ndier edhe dy tërmete të tjera më të lehta, përfshirë një me magnitudë 4.5, që kanë mbajtur në alarm zonat e prekura.
Ekipet e emergjencës dhe organizatat humanitare po vijojnë punën në terren për vlerësimin e dëmeve dhe ndihmën ndaj familjeve të prekura nga fatkeqësia natyrore.









