Një 32-vjeçar është vrarë me armë zjarri të dielën rreth orës 22 e 50 në një banesë në Ferizaj. Policia ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen. E plagosur ka mbetur edhe vajza e të dyshuarit që është arrestuar.
“Nga hetimet fillestare rezulton se ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B. (48 vjeç), ku në momentin e incidentit ndodheshin aty bashkëshortja, si dhe vajza e tij A.R. (24 vjeçe).
Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në njoftimin e Policisë. “Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë’”, shtohet tutje.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.









