Kur Wolfgang Schäuble, politikani i madh konservator gjerman, arriti një moshë të shtyrë, shumë njerëz në Gjermani filluan të ndihen keq që ai nuk ishte bërë kancelar. E meritonte për shkak të përvojës politike, për shkak të pjekurisë politike, për shkak të kontributit të tij politik.
Prej vitit 1972 deri në vdekjen e tij më 2023, Schäuble ishte deputet në parlamentin gjerman. Ishte rival i Helmut Kohl, por s’u largua nga partia. Ishte rival i Angela Merkel, por s’u largua nga partia. Por as Kohl, as Merkel nuk e poshtëruan Schäublen.
Merkel e emëroi ministër financash. Më 2012 e ftoi dhe shkuan bashkë në kinema për të parë një film mbi një njeri invalid dhe në karrocë. Edhe Schäuble lëvizte me karrocë për shkak të një sulmi me thikë nga një i çmendur. Më 2017 u zgjodh kryetar i parlamentit.
Pak para se të ndërronte jetë, gazetarët gjermanë e pyetën Wolfgang Schäublen nëse ndihej keq që s’ishte bërë kancelar, posti më i rëndësishëm politik në Gjermani.
Schäuble, një i krishter evangjelist, që etikën e punës dhe shërbimin ndaj atdheut i kishte parim e prioritet dhe jo ngarendjen pas posteve e luksit, u përgjigj, pak a shumë, kështu: që nga viti 1945, në Republikën Federale të Gjermanisë ka pasur vetëm tetë apo nëntë kancelarë federalë.
Të besosh se jeta e njeriut është e suksesshme vetëm nëse do të kishe qenë njëri nga këta të tetët apo të nëntët, kjo do të ishte një shkallë mendjemadhësie që nuk mund t’i bënte mirë askujt.
Schäuble nuk e shihte postin si diçka që shoqëria, shteti, qytetarët, partitë ia kanë borxh. Nuk kërkonte tapi, siç ndodh në viset shqiptare me politikanë e politikane qesharakë. Schäuble ishte i bindur se politikani i ka borxh vendit për t’i shërbyer. Dhe jo e kundërta. I tillë ndërroi jetë më 26 dhjetor 2023.
Kultura politike shqiptare është kulturë e rrenës. E mashtrimit. E egove të mëdha dhe trurëve të vegjël. Është kulturë e luftës për favore të vogla dhe jo për ide të mëdha. Është kulturë e cinizmit dhe plaçkitjes së të vërtetës.
Një reklamë në televizionin CNN prezantohej kështu:
“Kjo është një mollë.
Disa njerëz mbase do të duan t’ju thonë se kjo është një banane.
Mbase ata do të bërtasin pa pushim ‘banane, banane, banane’.
Ose do ta shkruajnë BANANE me shkronja të mëdha.
Me kalimin e kohës, mbase edhe ju do të filloni të besoni se është një banane.
Por nuk është e tillë.
Është një mollë”.
E vërteta matet vetëm me gjuhën e qartë. Kur s’ke më asnjë ambicie për të thënë të vërtetën, atëherë dëshiron vetëm të jesh “interesant”. Prandaj Kosova ka aq shumë huliganë digjitalë që duan të jenë “interesantë”.
Për të kuptuar motivet e tyre, duhet shikuar shpërbërjen dhe rënien e tyre. Siç e thotë aktori Heath Ledger (në rolin e Jokerit) në filmin “The Dark Knight”: “Fut pak anarki. Trazoje rendin e vendosur dhe atëherë çdo gjë kthehet në kaos”.
Qytetarët e Kosovës përsëri do të duhet të japin një përgjigje ndaj agjentëve të kaosit. Këtë nuk ua kishin borxh askujt, por realiteti është ky që është. Kosova nuk ka Wolfgang Schäuble, i cili i frenonte ambiciet e veta për të mirën e vendit.









