Pas publikimit të raporteve ndërkombëtare që evidentojnë përkeqësimin e situatës në Shqipëri, Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë, ka ngritur shqetësime serioze për rritjen e korrupsionit dhe përkeqësimin e lirisë së medias.
Meta theksoi se renditja e Shqipërisë ka rënë ndjeshëm në raportet globale, duke kërkuar angazhim të menjëhershëm për luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
Ai u bëri thirrje autoriteteve që të sigurojnë transparencë në proceset gjyqësore, duke vlerësuar se kjo është një çështje me interes të madh për publikun.
Postimi i Metës:
Pas raportit të “Transparency International” ku Shqipëria shënoi një rritje skandaloze të korrupsionit duke përkeqësuar renditjen e saj me 11 vende, natyrisht që do të dilte dhe raporti i “Reporterëve pa Kufij” për përkeqësimin e lirisë së medias.
Është e rëndësishme të evidentohet se në këtë raport theksohet se edhe për shkak të disa vendimeve gjyqësore, mediave u është ndaluar të raportojnë për çështje të ndjeshme me interes publik.
Sot nuk ka prioritet më të rëndësishëm për Shqipërinë se sa lufta kundër korrupsionit dhe transparenca në llogaridhënie.
Ndaj inisistoj edhe njëherë për domosdoshmërinë e transparencës maksimale për procesin e gjykimit ndaj meje sepse e vlerësoj me interes të lartë për publikun.
Si mund të bësh hapa para drejt Bashkimit Europian kur të gjitha standardet, jo vetëm të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit, por edhe të lirisë së mediave dhe shprehjes shkojnë pikiadë.