Ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, këtë të enjte nga takimi që ka mbajtur në Tiranë me homologun e saj, Ferit Hoxha, është shprehur për mbështetjen e fortë të Shqipërisë drej integrimit në BE.
“Nuk po i bëjmë favor vendeve, është një nga investimet më të mençura që Europa mund të bëjë në sigurinë dhe prosperitetin e saj. Ne kemi përfituar në shkallë masive nga zgjerimet e mëparshme, eksportet tona u zgjeruan shumë duke krijuar vende të reja pune dhe kjo do të vijojë edhe me Shqipërinë”, tha ajo
Në të njëjtën kohë, ajo theksoi se edhe Europa duhet të japë rezultate konkrete dhe të mbajë premtimet e saj.
“Shqipëria ka bërë përparim domethënës në rrugën e saj drejt BE dhe me shpejtësi të plotë duhet të vazhdoni reformat dhe jemi në moment vendimtar që shumë shpejt të nisim mbylljen e kapitujve dhe ky nuk është një proces i lehtë. Ju mbështesim plotësisht në rrugëtimin tuaj europian dhe duhet të vazhdoni me reformat, me shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë Europa duhet të japë rezultate dhe për këtë ne mbështesim fort integrimin gradual të Ballkanit, kjo do të thotë përparim i prekshëm për njerëzit dhe bizneset. Europa duhet të japë rezultate, duhet të mbajmë premtimet tona”,u shpreh Reisinger.









