Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në faqen e tij facebook ka njoftuar për mbledhjen e 63-të e Këshillit të Përgjithshëm të LVV, duke u shprehur se ka një detyrim historik ndaj secilit që ka kontribuar për Vetëvendosjen, në fshat apo qytet, ndaj dhe këtë detyrë duhet ta përmbushim në bashkëpunim të sinqertë me të gjithë ju.
Postimi i Kurtit
Fjala ime e plotë në mbledhjen e 63-të e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së:
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
E nderuara kryesuese Arbërie Nagavci, njëherazi edhe kryetare e Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s në Kuvend të Republikës,
E nderuara kryetare e Grave për VETËVENDOSJE!-s, dhe Kryetare e Kuvendit të Kosovës, dhe Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës, kërkoj falje nëse kam harruar ndonjë funksion tjetër që ka,
E nderuara nënkryetare e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mrika Limani-Myrtaj,
Të nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes, Alim Rama, dhe Koordinatore e Komiteteve Profesionale, Dejona Mihali,
I nderuari axha Avni, së shpejti do të udhëheqë edhe seancën tjetër besoj, kësaj radhe të legjislaturës së njëmbëdhjetë dhe kështu pak e nga pak po të bëhet edhe ty një mandat si kryetar Kuvendi, e njerëzit do të fillojnë e të thonë Dehari 3 ndoshta, në verën e vitit 2026,
Deputetë, ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash, aktivistë, mbështetës të Lëvizjes e qytetarë të Republikës sonë,
Kolegë, motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj,
Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin që keni te ne si Lëvizje dhe te unë si kryetar e kryeministër. Ju falënderoj për nominimin, që natyrisht është nder por edhe përgjegjësi e madhe. Është një detyrim historik ky që unë e kam ndaj jush, është një detyrim që ne e kemi ndaj gjithë kombit tonë shqiptar dhe ndaj Republikës sonë. Këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndal dot askush, sepse sytë, veshët, mendjen, zemrën, i kemi të përqendruar te synimi ynë më sublim, përparimi i kombit tonë.
Pa mbështetjen tuaj të qëndrueshme dhe masive, nga çdo fshat e nga çdo qytet, nga çdo lagje e nga çdo familje, nga brenda vendit e nga diaspora, ne nuk do të mundeshim të kapërcenim vështirësitë e mëdha shoqërore e historike të cilat na janë paraqitur në të shkuarën tonë. Por me ndihmën tuaj, me bashkëpunim, me bashkëveprim të sinqertë me të gjithë ju, me sakrificë e me punë, pa u lodhur asnjëherë, jam i sigurt se ne do të tejkalojmë çdo pengesë e çdo sfidë, përfshi këto sfidat dhe këto vështirësitë disi absurde që po na paraqiten në të tashmen dhe çdo pengesë e sfidë që mbase nuk do të mungojnë as në të ardhmen.
Jemi në një tjetër fushatë, në prag të saj formalisht, në një tjetër ballafaqim me të kaluarën përmbajtësisht, që nuk do të vdesë kurrë pa u përpjekur edhe një herë të na e marrë frymën.
Por ja që ne jemi këtu, të pathyer, më të fortë se kurrë, me duar të pastra e me ballë të hapur.
Të dashur miq, sot është 9 maji. Në kryeqytetet e Evropës kjo ditë festohet si dita e paqes dhe e bashkimit në fitore kundër nazifashizmit. Por për ne, në Prishtinë, ku jemi mbledhur për herën e 63-të në Këshillin e Përgjithshëm të LVV, kjo ditë nuk është thjesht një datë e shënuar në kalendarët e diplomacisë, është një pasqyrë e vullnetit tonë.
Janë dy shenja të kësaj date: nga njëra anë, Evropa e nga ana tjetër, lufta dhe fitorja kundër politikës së dhunshme e antidemokratike, politikës së shkatërrimit e të gjenocidit që përfaqësonte nazifashizmi. Evropa për Kosovën nuk është thjesht një stacion ku duam të mbërrijmë, por një vlerë që e mbajmë përbrenda nesh e që e tregojmë me punët e veprimet tona politike, si parti dhe si qeverisje demokratike. Kur themi Kosova në Evropë nuk e kemi fjalën për ndonjë zhvendosje gjeografike, por për zhvillim vleror; ne po e ndërtojmë Evropën këtu, me drejtësi, me punë dhe me dinjitet. Kosova në Evropë, sepse tashmë Evropa në Kosovë.
Me të njëjtat vlera ne pra po e ndërtojmë edhe demokracinë tonë, duke qëndruar pa kompromis kundër formave klienteliste, politikave tribale e të dhunshme, kundër korrupsionit, krimit, kundër lajmeve të rrejshme, kundër disfatizmit dhe degradimit të shtetit e të shërbimeve publike, kundër të gjitha këtyre fenomeneve që populli ynë i urren dhe assesi nuk do të lejojë që të kthehen ndonjëherë.
Jemi saktësisht 29 ditë larg 7 qershorit. Pra, nesër katër javë janë zgjedhjet e reja e të jashtëzakonshme, të cilat vijnë më pak se pesë muaj pas zgjedhjeve të kaluara ku ne shënuam 51% të votave. E ato vinin dhjetë muaj pas zgjedhjeve ku ne i fituam 42% të votave. Prej shkurtit deri në dhjetor, pra, në vitin e kaluar, u rritëm 9%. E nëse rritemi po aq prej dhjetorit e deri në qershor, atëherë vërtet do të mund ta prekim edhe 60%. Nëse punojmë ashtu siç veç ne dimë, ashtu siç e kërkon situata, me sinqeritet dhe përkushtim, edhe kjo padyshim që është e mundur.
Sa herë po na bllokojnë, ne po rritemi e ata po marrin përgjigje edhe më të fortë nga populli. Megjithëkëto, unë jam i mendimit që si shtet e si shoqëri, si institucione të sistemit që duhet të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe efikase ne nuk kishim nevojë për zgjedhje të tjera të reja kaq shpejt. Duket sikur dikush, mbase ndonjë strateg që rri në hije e që drejton nga prapaskena veprimet opozitare, po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme. Ndoshta për dikë, por jo për popullin e për shtetin.
E kjo po ndodhë meqenëse përballë nesh kemi një opozitë që e ka kuptuar se nuk mund ta mundë popullin, prandaj ka zgjedhur të bllokojë shtetin. Ata mendojnë se duke bllokuar zgjedhjen e presidentit, do të bllokojnë vullnetin popullor. Por jeta nuk bllokohet me procedura, dhe vullneti i popullit është i gjallë. Vullneti i popullit shqiptar të Kosovës nuk është një nen kushtetues me të cilin mund të abuzojë dikush, është forcë e historisë që na shpie pandalshëm përpara.
Të nderuar pjesëmarrës të Këshillit të Përgjithshëm të VETËVENDOSJE!-s,
Poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, flet për qiriun që tretet vetë për të bërë dritë. Pra për të bërë atë dritë e cila na mundëson të shohim e të njohim njëri-tjetrin – cili vërtet e do vendin dhe popullin tonë, e cili do thjesht pasuri e fitim për veten e vet. Drita është ajo që na e bën natën ditë. Dhe drita jonë, drita e VETËVENDOSJE!-s, buron nga e vërteta e thjeshtë se ne nuk i takojmë pushtetit, por pushteti i takon popullit.
Shpesh na akuzojnë se jemi “teorikë”. Por shifrat e shtetit janë poezia më kokëfortë e realitetit tonë. Ja një shifër e këtillë: kur ne erdhëm në pushtet, ishin dhjetë terminale doganore private. Sot të gjitha terminalet doganore janë shtetërore. E pra, kjo shifër kaq faktike, kaq e thjeshtë dhe e kuptueshme, na shpjegon se pse janë çartë dhe nuk pranojnë asgjë tjetër por vetëm bllokojnë. Dikur milnin pare nga terminalet private, por sot paraja shkon tek ai që punon, e kurrsesi tek ai që vjedh.
Sot ne kemi një ekonomi që prodhon vlerë. Nga 7 miliardë euro që ishte Bruto Produkti Vendor kur ne morëm detyrën, po e prekim 12 miliardëshin tani. Kjo nuk është rritje në letër, është rritje në tavolinat e bukës, është rritje e mirëqenies dhe e mundësive, është rritje e investimeve dhe e fitimeve. Edhe para nesh dikush fliste për rritje, por ajo ishte rritje e vogël e për pak njerëz; ne e bëmë rritje për të gjithë, mesatarisht 6% të Bruto Produktit Vendor çdo vit, e sivjet gjithashtu do ta kemi rreth 4%, sikurse në vitin e kaluar. Shifrat tona janë pra fytyra e dinjitetit të ri të Kosovës për Kosovën.









