-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Kalemaj: Për çfarë shërbeu samiti SHBA-Kinë?

Kryesoret

Takimi i nivelit të lartë midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit të Kinës, Xi Jinping, ishte kryefjala e ngjarjeve me sfond global që lamë pas. Pritshmëritë ishin të larta pasi rivaliteti strategjik i dy superfuqive është jo vetëm përcaktues për kohën që jetojmë, por edhe për shkak të çështjeve të nxehta të hapura jo vetëm në marrëdhëniet e tyre bilaterale por edhe aftësinë e patjetërsueshme për ndikim në konfliktet botërorë.

Ndonëse vëmendja u përqendrua në detaje si gjuha e trupit e presidentëve, kujdesi për spiunazhin kibernetik që i bëri amerikanët të linin laptopët dhe smartfonët në avion dhe protokolli i lavdërueshëm kinez sic ndodh rëndom me kuriozitetin e medias dhe publikut.

Apo te përmendja e mposhtjes së “Kurthit të Tuqiditit” të presidentit kinez i cili në njëfarë mënyrë kundërshtoi veten pasi në 2015ën për shembull kishte thënë në prani të Kisinxherit dhe të tjerëve që ky lloj “kurthi” i analizuar nga studiuesi amerikan Graham Allison në librin e tij të Destinuar për Luftë ku merrte në analizë 16 konflikte mes një superfuqie dhe një tjetre në ngritje, nuk ekzistonte. Gjithsesi këto detaje të studiuara paraprakisht janë ose për të tërhequr vëmendje nga çështje më të ndjeshme, ose për të mbuluar mungesë progresi në çështje të rëndësishme për të cilat kishte pritshmëri paraprake.

Për t’u kthyer të çështjet e rëndësishme, Kina prej kohësh është parë si ndoshta aktori me më shumë peshë në raport me Kremlinin për konfliktin në Ukrainë dhe natyrisht është faktori global që ndoshta ka më tepër influencë mbi Teheranin sot për shumë arsye, nga blerja e naftës iraniane që është thuajse ekskluzivisht e destinuar për tregun kinez deri te furnizimi me armët më të sofistikuara iranianëve nga raketahedhësit te sistemet mbrojtëse.

Samiti Trump-Xi Jingping u fokusua në ripërcaktimin e marrëdhënieve dypalëshe si një “marrëdhënie konstruktive e stabilitetit strategjik”. Qëllimi kryesor i dy superfuqive ishte injektimi i stabilitetit në një treg global të trazuar dhe menaxhimi i konkurrencës për të shmangur përshkallëzimet ushtarake. Gjithashtu ndër ato pak pika ku mediat respektive raportuan pak a shumë të njëjtën gjë, SHBA dhe Kina ranë dakord se lufta në Lindjen e Mesme duhet të përfundojë.

Presidenti Xi Jinping ofroi ndihmën e Kinës për të ndërmjetësuar me Teheranin me qëllim hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe sigurimin e rrugëve detare të naftës, një lëvizje që u pa si një hap pozitiv, ndonëse pala amerikane natyrshëm kishte pritshmëri më të mëdha. Gjithsesi fakti që të dyja palët nuk pranuan që kjo Ngushticë të kishte tarifa unilaterale dhe në formë pirateske nga Irani në të ardhmen është një hap në drejtimin e duhur.

Nga ana tjetër, takimi hapi rrugën për zgjatjen e armëpushimit të brishtë tregtar që ishte arritur në tetor të vitit të kaluar, duke shmangur një valë të re tarifash reciproke. U diskutua për marrëveshje të targetuara tregtare, përfshirë premtimet e Kinës për rritjen e blerjeve të produkteve bujqësore dhe avionëve amerikanë.

Gjithashtu u shënua përparim drejt institucionalizimit të një “Bordi të Tregtisë” për të menaxhuar mosmarrëveshjet ekonomike në mënyrë të kontrolluar. Premtimet për blerjet e 200 Boeing nga SHBA, sic deklaruan amerikanët ishin gjithsesi shumë më pak se rreth 500 që ishte pritshmëria fillestare apo marrëveshje të tjera potencialisht të bujshme që mund të korrektonin deri diku deficitin e thellë tregtar mes dy vendeve në favor të Kinës që ishte dhe një nga synimet kryesore që pala amerikane synonte të adresonte.

Në lidhje me Tajvanin palët ripërsëritën qëndrimet e tyre dhe dukej se secila po i fliste audiencës së brendshme. Xi Jinping ngriti me forcë çështjen e Tajvanit, duke kërkuar që SHBA të reduktojë mbështetjen ushtarake dhe shitjen e armëve për ishullin. Uashingtoni zyrtar (përmes Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio) bëri të qartë se politika e SHBA-së nuk ndryshon dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për të ndryshuar status quo-në me forcë do të ishte “një gabim i tmerrshëm” me pasojë të rënda për marrëdhëniet dypalëshe.

Një tjetër pikë me rëndësi, duke marrë në konsideratë edhe përbërjen e delegacionit amerikan, ishte siguria në inteligjencën artificiale. Dy liderët ranë dakord për nevojën e krijimit të mekanizmave mbrojtës dhe “masave të sigurisë” mbi Inteligjencën Artificiale, duke pranuar se kontrolli i përbashkët i kësaj teknologjie është i domosdoshëm për të parandaluar rreziqet strategjike ushtarake.

Si përfundim mund të themi që takimi nuk zgjidhi rivalitetin e thellë strategjik dhe afatgjatë midis dy vendeve, por arriti të krijonte një kornizë të për konkurrencën e heshtur të dy superfuqive. Pra me një fjalë u morën vesh për mos t’u marrë vesh. Për Trumpin, kjo shërbeu si një mundësi për të kërkuar marrëveshje të shpejta ekonomike dhe stabilitet në energji, ndërsa për Xi Jinpingun ishte një platformë për të konfirmuar statusin e Kinës si fuqi e barabartë globale dhe për të shmangur sanksionet e reja.

Për fund, siç raportoi dhe një gazetare nga media shtetërore e Kinës, më shumë se nga prononcimet e palëve, se për çfarë realisht janë marrë vesh liderët e dy superfuqive do të merret vesh nga veprimet e tyre në javët në vijim. Tejkalimi i krizës së Hormuzit është emergjenca më e madhe dhe me impakt më të fortë publik por natyrisht edhe çështjet e tjera bilaterale apo me impakt të drejtpërdrejtë në vendet e treta përbëjnë interes të fortë se si do të duket bota në të ardhmen e afërt.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit