Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar për një krizë humanitare të mundshme që mund të prekë dhjetëra miliona njerëz nëse transporti i plehrave kimike përmes Ngushticës së Hormuzit nuk rifillon shpejt.
Zyrtarët e OKB-së nënvizojnë se ndërprerja e furnizimeve mund të dëmtojë prodhimin bujqësor global dhe të përkeqësojë sigurinë ushqimore, duke rrezikuar miliona jetë.
“Kemi disa javë përpara për të parandaluar atë që ka të ngjarë të jetë një krizë masive humanitare,” tha Jorge Moreira da Silva, drejtori ekzekutiv i Zyrës së OKB-së për Shërbime Projektesh (UNOPS).
Ai shtoi se mungesa e plehrave kimike do të ndikojë drejtpërdrejt në prodhimin global ushqimor, duke shtuar se deri në 45 milionë njerëz mund të përballen me urinë ekstreme nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme. Ky paralajmërim vjen në një moment kur tensionet ndërkombëtare mbi transportin detar dhe furnizimet kritike po rriten në Lindjen e Mesme.









