Kryeministri britanik, Keir Starmer, pranoi humbjet e Partisë Laburiste në zgjedhjet lokale, duke marrë përgjegjësi personale dhe paralajmëruar se Britania përballet me “kundërshtarë shumë të rrezikshëm”. Ai premtoi se do të rikthejë besimin e qytetarëve dhe do të luftojë për një të ardhme më të qëndrueshme për vendin.
“Nuk po përballemi vetëm me kohë të rrezikshme, por edhe me kundërshtarë të rrezikshëm, kundërshtarë shumë të rrezikshëm. Kjo dhemb jo vetëm sepse Partia Laburiste ka bërë keq, por sepse nëse nuk e bëjmë siç duhet, vendi ynë do të shkojë në një rrugë shumë të errët,” tha Starmer.
Ai kritikoi qeveritë konservatore të mëparshme për “kaosin e udhëheqësve që ndryshonin vazhdimisht” dhe shpjegoi se qytetarët ende paguajnë pasojat e atyre periudhave. Starmer shtoi se një qeveri laburiste nuk do të lejojë përsëritjen e gabimeve të së kaluarës dhe theksoi:
“Po, e pranoj zhgënjimin. Po, e pranoj që rezultatet janë të vështira. Po, e pranoj që kemi humbur përfaqësues të shkëlqyer në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe kam përgjegjësi për këtë. Por unë kam gjithashtu përgjegjësinë për të sjellë ndryshimin për të cilin u zgjodhëm dhe që ia premtuam këtij vendi, dhe do ta përmbush këtë.”
Kryeministri iu përgjigj edhe kritikëve brenda partisë, duke theksuar se ka përballuar skepticizëm edhe më parë dhe se do t’u tregojë se ata gabojnë. Ai sulmoi gjithashtu Nigel Farage dhe Reforma UK lidhur me pasojat e Brexit-it, duke thënë se premtimet për një Britani më të fortë dhe më të pasur “rezultuan të rreme”.
Starmer përfundoi duke insistuar se nuk do të largohet nga posti i tij dhe se do të vazhdojë të luftojë për një Britani “tolerante, të arsyeshme dhe të bashkuar”:
“Kjo është Britania për të cilën do të luftoj, veçanërisht në dritën e kundërshtarëve që kemi tani. Kjo është Britania e vërtetë. Kjo është Britania që dua. Kjo është Britania për të cilën do të luftoj.”









