Gjykata e Shkallës së Parë në Berat shpalli fajtor katër persona për shpërndarje të kokainës në bashkëpunim, duke i dënuar me burg nga 4 vite e 8 muaj deri në 8 vite.
Hetimet zbuluan se E.V. menaxhonte një lokal në Dimal, ku droga mbahej e fshehur dhe shitej në doza të vogla. Ai vepronte me ndihmën e K.I., K.D. dhe R.I., të cilët kryenin rolet e ekzekutorëve dhe ndihmësve në shpërndarjen e lëndës narkotike.
Provat e grumbulluara përfshinin blerje të simuluara dhe monitorim të aktivitetit të tyre, duke konfirmuar se grupi operonte në mënyrë të vazhdueshme dhe të organizuar.
Vendimi vjen si një mesazh i qartë i autoriteteve për luftën kundër trafikimit të drogës në vend.









