Shefi i grupit të PDK-së, Alban Berisha me anë të një postimi në faqen e tij facebook u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, mbështetësve dhe militantëve të bashkohen pranë stacionit të policisë në Skenderaj për ta pritur kryetarin e kësaj komune pasi do të paraqitet në komisariat për intervistim lidhur me incidentin e djeshëm, i cili ka rrahur brutalisht zyrtarin e VV në po këtë komunë.
Postimi i Albanit
Të jemi në gatishmëri qytetare!
Brenda pak minutash pritet të zhvillohet intervista, prandaj ftoj sa më shumë qytetarë të mblidhemi për ta pritur Kryetarin Gjeneral Sami Lushtaku deri në përfundim të saj.
Vendtakimi: para Stacionit të Policisë.
Dje qytetarët panë me sytë e tyre keqpërdorimin e Njësisë Speciale, me maska e armë të gjata, në një mënyrë që krijoi tension dhe frikë te qytetarët. Këto veprime po e rikujtojnë kohën kur policia përdorej për presion politik e jo për drejtësi.
Mos të mendojë askush se mund të na frikësojë me skena force e demonstrim pushteti. Dinjiteti nuk shitet dhe nuk blihet! Fyerjet, shpifjet dhe propaganda nuk kalojnë.