-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor nga ‘Reforma Reale’ dhe Bashkimi Liberal Demokrat

Kryesoret

Bashkimi Liberal Demokrat dhe Nisma “Reforma Reale” i kanë dërguar sot zyrtarisht propozimet e tyre për ndryshime në Kodin Zgjedhor Anëtarëve nismëtarë të Forumit të Dialogut Politik. Nëpërmjet një letre zyrtare, dy subjektet politike i drejtohen z. Ermal Hasimja, z. Redi Ramaj dhe z. Hektor Ruci, duke paraqitur një paketë me shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.

Bashkë me projektligjin është bashkëngjitur edhe relacioni shpjegues i propozimeve.Theksi mbi konsensusin politikNë letrën e tyre, Bashkimi Liberal Demokrat dhe Nisma “Reforma Reale” përgëzojnë iniciativën e Forumit të Dialogut Politik për ndërtimin e një ure komunikimi midis subjekteve opozitare. Ata theksojnë se në këtë moment politik, përtej ndarjeve ideologjike, është e domosdoshme të bashkohen forcat për të forcuar demokracinë funksionale në Shqipëri.

“Pas konsultimeve të zhvilluara me anëtarët e subjektit politik Bashkimi Liberal Demokrat dhe grupet e interesit që janë pjesë e Nismës Reforma Reale, kemi dalë me propozime konkrete, të cilat i kemi materializuar në formën e një projektligji”, thuhet në dokument.

Qëllimi kryesor i këtij projektligji, sipas dy subjekteve, nuk është vetëm rregullimi normativ i propozimeve, por sidomos arritja e një dakordësie të gjerë politike. Ata nënvizojnë se ndryshimet zgjedhore duhet të vijnë si rezultat i konsensusit, ku asnjë subjekt garues të mos ketë përparësi ndaj tjetrit dhe të gjitha palët t’i nënshtrohen rregullave të njëjta të garës politike.

Propozimet per kodin zgjedhor nga Bashkimi Liberal Demokrat & Nisma Reforma Reale drejtuar Forumit Dialogut Politik me date 19.05.2026

BASHKIMI LIBERAL DEMOKRAT & NISMA “REFORMA REALE”

NGA:Bashkimi Liberal Demokrat dhe Nisma Reforma Reale.

OBJEKTI: Dërgojmë propozimet për projektligjin me disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, si dhe bashkëngjitur,relacionin shpjegues lidhur me propozimet e paraqitura nga Bashkimi Liberal Demokrat dhe Nisma Reforma Reale.

DREJTUAR: Anëtarëve nismëtarë të Forumit Dialogut Politik:
z. Ermal Hasimja, politolog dhe administrator në fushën e arsimit.
z. Redi Ramaj, pedagog, avokat dhe ekspert i së drejtës.
z. Hektor Ruci, pedagog dhe ekspert i së drejtës kushtetuese.
Të nderuar Zotërinj,
Me anë të kësaj shkrese, na lejoni t’ju përgëzojmë për iniciativën tuaj në ndërtimin e urës së komunikimit ndërmjet subjekteve politike të krahut opozitar në Republikën e Shqipërisë.
Ajo që duhet theksuar është se ndodhemi në një moment ku, përtej ndarjeve ideologjike, duhet të bashkohemi për të forcuar demokracinë funksionale në jetën tonë politike.
Bashkimi Liberal Demokrat në bashkëpunim me Nisma Reforma Reale, pas konsultimeve të zhvilluara me anëtarët e subjektit politik Bashkimi Liberal Demokrat dhe grupet e interesit që janë pjesë e Nismës Reforma Reale, kanë dalë me propozime konkrete, të cilat i kemi materializuar në formën e një projektligji.
Ky projektligj nuk ka vetëm si qëllim normimin e këtyre propozimeve, por mbi të gjitha synon pranimin nga të gjithë faktorët politikë që ndryshimet zgjedhore të vijnë si rezultat i një dakordësie politike, ku asnjë subjekt garues të mos ketë përparësi ndaj tjetrit. Të gjitha subjektet që marrin pjesë në zgjedhje duhet t’u nënshtrohen rregullave të garës politike në mënyrë të barabartë.
Parimi themelor është që sistemi zgjedhor në Republikën e Shqipërisë të bazohet mbi zgjedhje të lira dhe të barabarta, në përputhje me standardet demokratike dhe legjislacionin në fuqi. Ky parim duhet të shërbejë si bazë udhëheqëse për çdo ndryshim të mundshëm që miratohet në Parlament.
Propozimet tona synojnë që të mos preket Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe që çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor aktual të mos normohet pa një konsultim të gjerë ndërmjet faktorëve politikë dhe shoqërisë civile.
Ftojmë të gjitha palët që gara zgjedhore të jetë e hapur dhe të mos kufizohet përmes imponimit të modeleve që favorizojnë një grup të caktuar. Roli ynë është të hapim garën dhe, në këtë përballje demokratike, të punojmë për të bindur qytetarët shqiptarë, njëkohësisht duke vazhduar mbrojtjen e demokracisë në vend.
Nëpërmjet Jush, dëshirojmë që këto dy akte shkresore projektligji dhe relacioni shpjegues, të bashkëngjitura kësaj shkrese t’u përcillen të gjitha partive politike dhe grupeve të ndryshme të interesit, të cilat dëshirojnë të bashkëveprojnë për një dialog më të gjerë në tryezat e ardhshme, me qëllim diskutimin e mënyrave për forcimin e demokracisë përmes një gare të lirë dhe të barabartë.

Projektligji riformulon disa nga përkufizimet bazë të nenit 2 të Kodit Zgjedhor, duke përcaktuar më qartë:
konceptin e “Qendrës së votimit dhe numërimit”, procesin e “Identifikimit elektronik” të zgjedhësit, statusin dhe garantimin e të drejtave të “zgjedhësve me aftësi të kufizuara”.
Gjithashtu, riformulohet neni 4 i Kodit, duke forcuar parimin se sistemi zgjedhor në Republikën e Shqipërisë bazohet mbi zgjedhje të lira dhe të barabarta, në përputhje me standardet demokratike dhe legjislacionin në fuqi.
Projektligji përcakton në mënyrë të shprehur detyrimin e subjekteve zgjedhore, administratës zgjedhore, dhe gjykatave, për respektimin e këtyre parimeve, duke i dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kompetenca më të qarta për ndërhyrje në rast cenimi të tyre.

  1. Riorganizimi i administratës zgjedhore
    Një nga ndryshimet më të rëndësishme të projektligjit është profesionalizimi i administratës zgjedhore. Projektligji shfuqizon disa dispozita ekzistuese lidhur me nënkomisionerin dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, ndryshon mënyrën e përbërjes së Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), Komisioneve të Qendrave të Votimit (KQV), dhe Grupeve të Numërimit të Votave (GNV).
    Sipas projektligjit anëtarët e këtyre komisioneve do të propozohen kryesisht nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dhe Dhoma e Noterisë së Shqipërisë, sekretarët e komisioneve duhet të kenë formim juridic, synohet depolitizimi i administrimit zgjedhor dhe garantimi i profesionalizmit dhe paanshmërisë në administrimin e procesit.
    Projektligji parashikon gjithashtu detyrimin ligjor të profesioneve të rregulluara për të bashkëpunuar me KQZ-në në plotësimin e vendeve vakante në administratën zgjedhore.
  2. Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë
    Projektligji riformulon dispozitat lidhur me regjistrimin dhe administrimin e votuesve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
    Parashikohet që regjistrimi të kryhet individualisht nëpërmjet një platforme elektronike të administruar nga KQZ-ja,zgjedhësi të paraqesë pasaportën biometrike dhe deklaratë për qëndrimin jashtë vendit në ditën e zgjedhjeve, zgjedhësit e regjistruar jashtë vendit të çregjistrohen nga listat e zgjedhësve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
    Gjithashtu, numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë vendit do të kryhen nga komisione të posaçme, këto komisione do të përbëhen nga përfaqësues të propozuar nga Dhoma e Avokatisë dhe Dhoma e Noterisë.
  3. Organizimi i qendrave të votimit dhe procesi i numërimit
    Projektligji sjell ndryshime të rëndësishme në mënyrën e organizimit të qendrave të votimit dhe procesit të numërimit të votave.
    Ndryshimet kryesore përfshijnë kufizimin e numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi nga 300 deri në 700 zgjedhës, përqendrimin e qendrave të votimit në godina të mëdha publike, zhvillimin e procesit të numërimit në të njëjtën qendër votimi ku është zhvilluar votimi.
    Projektligji parashikon përdorimin e kamerave dhe monitorëve për regjistrimin dhe transmetimin në kohë reale të procesit të numërimit, ruajtjen elektronike të materialeve filmike dhe garantimin e transparencës për subjektet zgjedhore, vëzhguesit dhe median.
    Gjithashtu përcaktohen procedura më të detajuara për transportimin, marrjen në dorëzim dhe administrimin e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, parashikohen masa për trajtimin e kutive të parregullta dhe procedurat për pezullimin ose vazhdimin e numërimit në rast mospërputhjesh.
  4. Numërimi dhe vlerësimi i votave
    Projektligji synon standardizimin dhe rritjen e transparencës së procesit të numërimit të votave.
    Parashikohen procedura më të qarta për verifikimin e kutive dhe materialeve zgjedhore, mekanizma për rivlerësimin e votave të kontestuara, ndërhyrja e KZAZ-së në rast mosmarrëveshjesh gjatë numërimit, vijimësia e pandërprerë e procesit të numërimit deri në përfundimin e tij. Gjithashtu, ndalohet refuzimi i numërimit të kutive të rregullta, një veprim i tillë konsiderohet shkelje penale sipas Kodit Penal.
  5. Listat e kandidatëve dhe mbështetja zgjedhore
    Projektligji ndryshon kriteret për regjistrimin e partive politike dhe koalicioneve,mbështetjen me firma të zgjedhësve, përjashtimet nga detyrimi për mbledhjen e firmave mbështetëse.
    Parashikohet që partitë ose koalicionet që kanë marrë të paktën 1% të votave të vlefshme në zgjedhjet pararendëse të përjashtohen nga mbledhja e firmave mbështetëse dhe subjektet që nuk e arrijnë këtë prag të detyrohen të mbledhin firma sipas kritereve të përcaktuara në Kod.
  6. Shpërndarja e mandateve dhe sistemi zgjedhor
    Projektligji riformulon nenin 162 të Kodit Zgjedhor, duke përcaktuar pragun kombëtar prej 1% për pjesëmarrjen në shpërndarjen e mandateve për Kuvendin, metodën e ndarjes së mandateve nëpërmjet koeficientëve zgjedhorë dhe procedurat për rastet e barazimit të koeficientëve.
    Kjo dispozitë synon rritjen e proporcionalitetit, shmangien e fragmentarizimit të tepërt politik dhe
    garantimin e një përfaqësimi më funksional parlamentar.
  7. Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore
    Projektligji ndryshon mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve të bashkive.
    Parashikohet që kandidati fitues duhet të marrë mbi 50% + 1 të votave të vlefshme, në rast se asnjë kandidat nuk arrin këtë shumicë, organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve më të votuar dhe raundi i dytë zhvillohet katër javë pas raundit të parë. Ky sistem synon forcimin e legjitimitetit të kryetarëve të bashkive dhe sigurimin e mbështetjes më të gjerë elektorale.
  8. Teknologjia në zgjedhje
    Projektligji përcakton financimin dhe procedurat për prokurimin e pajisjeve teknologjike, përdorimin e sistemeve të transmetimit të sigurt të rezultateve (SRT), dhe ndalimin e përdorimit të sistemeve të votimit elektronik.
    Gjithashtu,parashikohet përdorimi i pajisjeve që realizojnë identifikimin në kohë reale të zgjedhësve dhe synohet forcimi i sigurisë dhe integritetit të procesit zgjedhor.

III. Efektet e pritshme të projektligjit
Miratimi i këtij projektligji pritet të sjellë rritjen e besueshmërisë së procesit zgjedhor, depolitizimin e administratës zgjedhore, përmirësimin e transparencës dhe kontrollit publik mbi procesin e numërimit, forcimin e standardeve demokratike, garantimin e pjesëmarrjes së barabartë të zgjedhësve, përmirësimin e administrimit të votimit nga jashtë vendit dhe rritjen e profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë institucionale.

IV. Përfundime
Projektligji përfaqëson një ndërhyrje të gjerë dhe strukturore në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, me synim modernizimin e sistemit zgjedhor dhe forcimin e integritetit të proceseve zgjedhore. Nëpërmjet profesionalizimit të administrimit zgjedhor, përdorimit të teknologjisë mbështetëse, rritjes së transparencës dhe garantimit të standardeve demokratike, projektligji synon të krijojë një proces zgjedhor më të besueshëm, më transparent dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

BASHKIMI LIBERAL DEMOKRAT DHE NISMA REFORMA REALE

Sipas projektligjit anëtarët e komisioneve QV-ve,GNV-ve dhe ZAZ-ve do të propozohen kryesisht nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dhe Dhoma e Noterisë së Shqipërisë dhe në vijim nga profesione të tjera të rregulluara me ligj në Republikën e Shqipërisë.
Ndryshimet kryesore përfshijnë kufizimin e numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi nga 300 deri në 700 zgjedhës.
Përqendrimi i qendrave të votimit në godina të mëdha publike, zhvillimin e procesit të numërimit në të njëjtën qendër votimi ku është zhvilluar votimi.
Shpërndarja e mandateve dhe sistemi zgjedhor me metodën Sainte-Laguë.
Propozohet rritja e numrit të bashkive nga 61 në 101 dhe reduktimi i numrit të qarqeve nga 12 në 7.
Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore Parashikohet që kandidati fitues duhet të marrë mbi 50% + 1 të votave të vlefshme, në rast se asnjë kandidat nuk arrin këtë shumicë, organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve më të votuar.

BASHKIMI LIBERAL DEMOKRAT
KRYETARI
Dr. ARIAN STAROVA NISMA “REFORMA REALE” KRYETARI AVOKAT GYLSEN ZHLLIMA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit