Treni ka ikur
Dëgjoni,
treni i integrimit evropian ka ikur larg. Nuk e kapëm kur ishte në stacion. Tani më ngjan me historinë e një filmi shqiptar, ku shoferi heroik i luajtur bukur nga z. Timo Floko i hypën Skodës dhe nëpërmjet xhadesë e ndiqte trenin aty nga Dragostuni, për ta kapur. Ose si filmat me kauboj që ndjekin trenin nëpër savanë, duke i hipur nga çatia!
Në vitet 90 deri nga 2005 ishte për t’i hipur, tani i hipim kalit, gomarit ose skodës çeke për të kapur trenin elektrik!
Pse atëhere ishte në stacion dhe klasa politike jo vetëm s’e kapi, por edhe bënte sikur hipte, por nuk donte.
- Atëhere Kosova fatkeqësisht ishte nën Serbinë. Ishte tragjedi. Por, paradoksalisht çështa e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk shtrohej, as Serbi – Shqipëri, as Kosovë – Shqipëri. Tani ka ardhur puna se kjo marrëdhënie treshe pa u zgjidhur, duhet ta ndjekësh trenin me gomar.
- Atëhere utopia e Evropës së Bashkuar ishte entuziaste në popujt evropianë, dhe trari i psikologjisë kolektive evropiane ishte i ngritur. Kush u fut u fut. Tani lëvizjet nacionaliste shprehin një opinion evropian disi evroskeptik. Kanë alergji segmente të ndryshme nga të huajt që vijnë pastaj iu marrin vendet e punës.
- Atëhere nuk vihej re, por sot liderat e vendeve të ndryshme po ankohen se vendet janë bërë aq shumë sa burokracia evropiane është bërë si një kafshë stërmadhe që del nga deti. Nuk duan ta komplikojnë edhe më tepër strukturën e BE.
- Atëhere nuk kishte ende Brexit, as rreziqe daljeje nga BE, dikush ose disa me peshë kanë frikë sot se mos futja e Shqipërisë rrezikon daljen e ndonjë vendi ku gjendja politike është e tillë që rrezikon daljen nga BE.
- Para njëzet vitesh BE dhe SHBA ishin aleatë të fortë dhe mund të ishe njëkohësisht edhe për NATO-n edhe për BE, edhe për BE edhe aleat strategjik të kishe Amerikën. Por, sot aleanca, aktualisht e dini vetë si është. Shumë vështirë të qendrosh në dy karrike.
- Në vitet 90 BE ende kishte frikë nga komunizmi dhe nga ringjallja e paktit të Varshavës. Donte t’i tërhiqte vendet satelite të ish BS apo ish komuniste drejt vetes. Mundësia për të përfituar ishte e madhe. Kurse tani as ka frikë fare nga ndonjë ringjallje e komunizmit.
- Atëhere BE nuk kishte ndonjë luftë në kufi. Kurse sot Ukraina dhe sulmi rus ndaj saj e ka cuar vëmendjen e BE atje. Si edhe te shqetësimet e rënda me Iranin.
- Në vitet 90 krimi shqiptar ishte i dobët, Shqipëria nuk njihej në arenën ndërkombëtare për rrjetet e drogës, etj. Kurse sot hajde përballoje këtë rrezik që BE mendon se vjen prej nesh!
Ja pra pse treni ka ikur. Kur ai i binte burisë në stacion, sirenës, ne pinim raki me ruajtësin e hekurudhës në kasollen e tij. Ishim tapë! Tani bëjmë sikur mbi kurriz të kalit duam të kapim flurimthi trenin që lëviz me shpejtësi dhe ne dëgjojmë veçse çuf çuf të shfryrjes së avullit!









