Mitropoliti i Korçës, Imzot Anastasi, ka theksuar nevojën që familja të jetë më e angazhuar në edukimin e fëmijëve, duke e cilësuar atë si bazën kryesore të vlerave morale, shpirtërore dhe kulturore.
Ai u ndal edhe te sfidat që, sipas tij, sjellin ndryshimet shoqërore në mënyrën e edukimit të brezit të ri.
“Duhet të jeni të vetëdijshëm se kujdesi për fëmijët është përgjegjësia juaj më e madhe. Askush nuk mund t’i rrisë dhe formojë ata me të njëjtin përkushtim si prindërit, sepse aty qëndrojnë rrënjët, tradita dhe besimi i familjes. Detyra juaj është t’i rrisni të shëndetshëm dhe të formuar jo vetëm nga ana e dijes, por edhe e karakterit dhe shpirtit,” u shpreh Anastasi.
Ai shtoi se edukimi nuk duhet të kufizohet vetëm në mësimdhënie akademike, por duhet të përfshijë edhe formimin e personalitetit dhe vlerave morale. Sipas tij, prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj ndikimeve të jashtme që mund të ndikojnë në mënyrën se si fëmijët e perceptojnë veten dhe botën përreth.









