Mbi 26 mijë e 600 maturantë në të gjithë vendin nisin këtë të martë, më 2 qershor, provimet e Maturës Shtetërore 2026. Testi i parë është ai i Gjuhës së Huaj.
Procesi do të vijojë më 9 qershor me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 16 qershor me Matematikën dhe do të përmbyllet më 23 qershor me provimin me zgjedhje.
Në orën 07:00 të mëngjesit, në ambientet e shkollës “18 Tetori”, Lushnje u zhvillua procesi i hedhjes së shortit për përzgjedhjen e administratorëve që do të angazhohen në Maturën Shtetërore 2026.
Ky moment shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në përgatitjen e një prej proceseve më të rëndësishme të sistemit arsimor, duke garantuar transparencë, paanshmëri dhe standarde të larta administrimi.
Pas përfundimit të shortit, administratorët e përzgjedhur u caktuan në katër qendra provimi, ku do të zhvillohet testi i lëndës së gjuhës së huaj.Në këtë provim pritet të marrin pjesë rreth 650 maturantë, të cilët do të përballen me një nga sfidat më domethënëse të rrugëtimit të tyre arsimor.
Gjatë takimit, drejtoresha e Arsimit, Arta Dhamo, përcolli urimet e saj për të gjithë maturantët, duke u dëshiruar qetësi, vetëbesim dhe rezultate sa më të mira në provime.
Në fjalën e saj Dhamo dha porosi të qarta për administratorët dhe të gjitha strukturat e përfshira në proces, duke kërkuar zbatim rigoroz të rregullave, korrektësi maksimale dhe disiplinë në çdo hallkë të administrimit. Sipas saj, mbarëvajtja e Maturës Shtetërore duhet të mbetet një model i përgjegjshmërisë institucionale dhe i respektimit të standardeve që garantojnë barazi për çdo maturant.
Tashmë, me përfundimin e këtij procesi organizativ, vëmendja përqendrohet te zhvillimi i qetë dhe i suksesshëm i provimit të gjuhës së huaj, ndërsa institucionet arsimore vijojnë përgatitjet për të siguruar një atmosferë sa më të rregullt dhe të sigurt për të gjithë maturantët që do t’i nënshtrohen testimit.
Matura Shtetërore 2026 mbetet një sfidë e rëndësishme, por edhe një mundësi për të rinjtë që të dëshmojnë njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë viteve të shkollimit./ Shkruar nga Fation Abdurramani









