Një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar shembjen e një ndërtese dykatëshe në qytetin turistik Porto Sant’Elpidio në Itali, duke lënë të vdekur një person dhe disa të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për një grua të zhdukur nën rrënoja.
Sipas raportimeve fillestare, shpërthimi ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe dyshohet se është shkaktuar nga një rrjedhje gazi. Në ndërtesë jetonin dy familje, ndërsa shpërthimi i fortë e shkatërroi plotësisht godinën dhe dëmtoi edhe objekte përreth.
Zjarrfikësit kanë nxjerrë nga rrënojat trupin e pajetë të një 55-vjeçari, ndërsa prindërit e tij të moshuar ndodhen të plagosur në spital. Një djalë i vogël dhe një grua janë shpëtuar gjallë, ndërsa një tjetër grua vijon të jetë e zhdukur.









