Tre të rinj nga Kosova, që i mbijetuan tragjedisë në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, po marrin trajtim në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe ndodhen në gjendje të stabilizuar. Ata u vizituan nga Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, dhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.
Ambasadori u informua për gjendjen e tyre shëndetësore dhe tha se të rinjtë janë në gjendje të mirë dhe po monitorohen nga mjekët.
“Gjendja e tyre ishte shumë e mirë. Fati i tyre. Ngjarje shumë tronditëse, por ne jemi këtu të bëjmë atë që duhet bërë, për të informuar familjarët e dy viktimave”, tha Durmishi.
Ai falënderoi stafin mjekësor dhe institucionet për reagimin e shpejtë, ndërsa shprehu ngushëllime për familjet e viktimave. Mjekët bëjnë me dije se të rinjtë vijojnë të jenë nën vëzhgim dhe në gjendje të qëndrueshme.









