Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference në kuadër të turit të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, përkujtoi historikun e sfidave politike dhe kontributin e Shqipërisë në çështje ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e partisë për shtetin e së drejtës dhe integrimin europian.
“Siç ka ndodhur në historinë e këtyre 35 viteve, vazhdon edhe sot, PS gjendet përballë një fronti kundërshtarësh që nuk lënë gjë pa thënë ndaj përfaqësuesve të saj. Ata e sulmuan brutalisht PS-në si parti e lidhur me Serbinë, si parti shërbëtore e Beogradit, por e vërteta tregoi diçka krejt tjetër. Pikërisht ata që gjuanin me gurë PS-në ditën, natën furnizonin me naftë makinerinë e Millosheviçit.
Duket e zakonshme që një forcë politike të ketë një marrëdhënie të fortë me të shkuarën. Jemi një forcë që u krijuam si një shprehje e vendosmërisë dhe kurajos së një grupi njerëzish për t’u ndarë me të shkuarën dhe për ta kthyer drejtimin nga e ardhmja dhe mbetëm e vetmja forcë që di të ruajë me të shkuarën një marrëdhënie të dinjitetit kombëtar, sepse u bë forca që kurrë nuk lejoi që të përlyhej Lufta Nacionalçlirimtare dhe ua la turpin atyre që e patën dhe e kanë.
Ne përpara kemi objektivin historik, majën ku do të vendosim flamurin e Gjergj Kastrioti Skënderbeu në oborrin e shtëpisë europiane,” u shpreh Rama.
Related