Kërcënimet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të pushtuar Groenlandën në fillim të këtij viti u keqkuptuan, tha të premten ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian.
«U interpretua sikur ne po kërcënonim në një farë mënyre integritetin territorial të Groenlandës», por «presidenti nuk tha kurrë se ne do të pushtonim», u tha Andrew Puzder pjesëmarrësve në Forumin e Sigurisë Ekonomike të Brukselit.
Gjatë mandatit të tij të dytë në detyrë, Trump ka përmendur vazhdimisht idenë e aneksimit të Groenlandës, pa përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake, gjë që shkaktoi shqetësim në Evropë. Puzder tha se deklaratat e presidentit ishin të dobishme për të tërhequr vëmendjen ndaj rëndësisë strategjike të Groenlandës, por nuk duhej të ishin marrë seriozisht.
Komentet e ambasadorit erdhën vetëm një ditë pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i tha Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së se ishulli Arktik është pjesë e Danimarkës, “për momentin”.
Trump përfundimisht përjashtoi një pushtim ushtarak të Grenlandës në janar, duke nisur bisedime midis SHBA-së dhe Danimarkës për rritjen e pranisë ushtarake amerikane në ishullin Arktik.
Puzder, një ish-pronar restoranti, i krahasoi reagimet e Evropës ndaj kërcënimeve të Trump me shkumën dhe kafenë e një kapuçinoje.
«E merr një kapuçino, e merr për kafenë, nuk e merr për shkumën. Pra, le të përqendrohemi te kafeja dhe jo te shkuma. Dhe shumica e kësaj është shkuma», shpjegoi ai.









