Policia e Kosovës njoftoi të premten se e ka arrestuar një burrë nga komuna e Graçanicës pranë kryeqytetit Prishtinë, nën dyshimin për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me votimin, dy ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Ajo tha se gjatë kontrollit ka gjetur dhe konfiskuar materiale dëshmuese, si dhe ka marrë në pyetje dy dëshmitarë.
Derisa Policia nuk tregoi se kush është i arrestuar, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi se i ndaluari është aktivisti i Listës Serbe, Aleksandar Trajkoviq nga fshati Uglarë.
Ajo e dënoi arrestimin e tij si “trysni shtesë ndaj popullit serb me qëllim që Albin Kurti (kryeministri në detyrë i Kosovës) ta ndihmojë të preferuarin e tij Nenad Rashiq në garën zgjedhore”.
Policia njoftoi se personi i ndaluar, sipas hetimeve zyrtare, u kishte bërë thirrje qytetarëve të shkonin në një lokal në fshatin Uglar, ku do t’u jepte udhëzime që të votonin për Listën Serbe dhe kandidatët e saj.
“Në këmbim të votës, dyshohet se atyre u ishte premtuar se do ta fitonin të drejtën për përfitime sociale që i paguan shteti i Serbisë”, thuhet në njoftim.
Policia konfirmoi se të dyshuarit i është caktuar ndalimi deri në 48 orë
Nga subjektet politike serbe në zgjedhjet e së dielës marrin pjesë vetëm Lista Serbe – partia kryesore e serbëve që vepron me mbështetjen e Beogradit – dhe partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, i cili deri tani ka qenë pjesë e Qeverisë së Kurtit./ REL









