Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatim të reduktuar 5% ka sjellë të ardhura prej 3.9 miliardë lekësh, ose rreth 40 milionë euro, gjatë periudhës shkurt-maj 2026.
Shifrat u bënë të ditura nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili theksoi se interesi i qytetarëve për këtë proces rezulton më i lartë krahasuar me rivlerësimin e zhvilluar në vitin 2022.
Ministri i Financave Malaj theksoi se krahasuar me procesin e rivlerësimit të zhvilluar në vitin 2022, interesi i individëve është më i lartë. Sipas tij në vitin 2022 në total u arkëtuan 5.6 mld lekë të ardhura, kundrejt 3.9 mld lekëve të arkëtuara për 3 muaj në 2026.
Po ashtu për periudhën shkurt-prill Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) llogariti arkëtimin e 3.2 mld lekëve apo rreth 34 mln euro.
Nga totali i tatimit për rivlerësimin e pronave, rezultoi se vetëm 22% e aplikuesve apo në numër 2,114 e tyre kishin paguar tatimin për periudhën e aplikimeve shkurt-prill. Totali i tatimit të paguar prej tyre dhe transferuar në tatime, sipas të dhënave llogaritet në vlerën e 1,59 mld lekëve.
Në total për periudhën kishin aplikuar 9,532 qytetarë.
53% e aplikimeve rezultojnë me tatim të papaguara (5,053 aplikime të përllogaritura nga ASHK por të papaguara); 25% e tyre apo 2,365 aplikimeve rezultojnë të refuzuara nga ASHK.
Numri i aplikimeve më së shumti është i përqendruar në Tiranë dhe Durrës. 42% e totalit të aplikimeve janë në Tiranë, 18% e tyre janë nga qytetet Durrës, Kavajë dhe Krujë. Aplikimet e qytetit të Vlorës përbëjnë 6%, në Lezhë është përqendruar 4.5% e tyre, në Sarandë 4%, në Fier 4% etj.
Ndryshe nga Tiranë ku qytetarët që po kryejnë rivlerësimin nëpërmjet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës mund të kryejnë procesin, me çmimet e referencës të ndryshuar në vitin 2023. Në fund të korrikut 2023 për Tiranë hynë në fuqi çmimet e reja për 32 zonat kadastrale.
Në rrethe procesi i rivlerësimit nga ASHK do të vijojë të kryhet me çmimet e vendosura që në 2016.
Ministri i Financave Petrit Malaj tha se ende nga grupi i punës nuk janë gati çmimet e reja të referencës për rrethet. Malaj përsëriti se nëse qytetarët do të kërkojnë të rivlerësojnë pronat sipas vlerës së tregut, procesin duhet ta kryejnë nëpërmjet ekspertit privat të licencuar.
“Grupi i punës është duke punuar, është më kompleks se përfshin edhe bashkitë. Ky proces nuk e pengon rivlerësimin, por kjo nuk i pengon qytetarët që kërkojnë të bëjnë rivlerësimin sipas çmimeve të tregut, mund ta bëjnë me vlerësues privat”.
Në muajin korrik 2025 Ministria e Financave, propozoi një hartë e re çmimesh për rrethet me rritje deri 200% (rritja më e lartë në zonën pranë portit të Durrësit). Çmimet e reja parashikoj të hynin në fuqi nga 1 janari 2026./ Monitor
LIVE- Malaj: Do të indeksojmë pensionet në qershor ose korrik!









