Një ngjarje e rëndë ka tronditur shkretëtirën e Saharasë në veri të Nigerit, ku të paktën 49 persona kanë ndërruar jetë pasi automjeti me të cilin udhtonin u prish dhe ata mbetën pa ujë në mes të shkretëtirës.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se grupi po kthehej nga Mali, ku kishte marrë pjesë në një festival mysliman. Automjeti doli nga rruga dhe u bllokua rreth 80 kilometra në perëndim të Asamakës, një pikë kufitare mes Nigerit dhe Algjerisë.
Pavarësisht përpjekjeve të shoferit dhe udhëtarëve për ta riparuar, kushtet ekstreme të temperaturës dhe mungesa e ujit çuan në humbjen e jetës së shumicës.
Vetëm dy persona arritën të mbijetonin dhe pas një udhëtimi të gjatë në shkretëtirë njoftuan autoritetet. Guvernatori lokal deklaroi se shumë prej viktimave u gjetën pranë automjetit, disa nën hijen e tij për të mbrojtur veten nga vapa e fortë.
Në të njëjtin rajon, ekipet e shpëtimit gjetën një tjetër automjet me mbi 60 persona të bllokuar për tre ditë, të cilët u ndihmuan me ujë dhe riparime për të mundësuar vijimin e udhëtimit.









