Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar në rrjetet sociale ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestat që po zhvillohen prej disa ditësh në vend.
Sipas tij, qëndrimet e kreut të qeverisë kanë vijuar me gjuhë fyese ndaj protestuesve, ndërsa thekson se pakënaqësia qytetare duhet të merret seriozisht nga institucionet.
Postimi i Këlliçit:
Edi Rama vijon fyerjet ndaj protestuesve, ndaj të rinjve e të rejave, faniljarëve me femijë të vegjël, prindërve që kanë mbushur sheshet.
Kam dalluar se kanë qënë prezent dhe shumë intelektualë e shkrimtarë. Megjjithatë, Kryeministri i vendit i quan injorantë që dinë vetëm 4 fjali.
Jam i sigurtë se shumica aty janë më të ditur e më të kënduar se Edi Rama, cektësia e të cilit mbulohet nga gjeste që nuk tregojnë aspak urtësi apo qytetari.
Por pavarësisht, më e rëndësishmja në këtë rast është ajo çfarë ata ndjejnë, zemërimi dhe revolta e tyre. Dhe një shtetar i përgjegjshëm këtë duhet të lexonte.
Ajo që ata ndjejnë, shprehet qartë dhe pastër.
Edi Rama me korrupsionin dhe arrogancën e tij duhet të largohet.
Nuk fiton asgjë duke i sulmuar.
Duke reaguar çdo 1 orë, ai vetë po konfirmon të kundërtën e asaj që thotë.
Largohu pa i shtuar më shumë kosto qytetarëve dhe vendit.