Bashkimi Europian ka transferuar një këst të ri ndihme financiare drejt Ukrainës me vlerë afro 2,8 miliardë euro, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për buxhetin shtetëror dhe reformat e ndërmarra nga Kievi. Fondet pritet të përdoren për shpenzime të rëndësishme, përfshirë sektorin social dhe atë humanitar.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Ukrainës në procesin e reformave, duke e cilësuar atë vendimtar për lëvrimin e kësaj ndihme.
“Shpejtësia dhe angazhimi i Ukrainës në zbatimin e reformave të rëndësishme e kanë justifikuar këtë pagesë”, deklaroi Kos, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm në kuadër të mekanizmit financiar të Bashkimit Europian për Ukrainën.
Sipas Komisionit Europian, kjo është pagesa e shtatë në kuadër të instrumentit “Ukraine Facility”, përmes të cilit Ukraina mund të përfitojë deri në 50 miliardë euro deri në fund të vitit 2027. Ndërkohë, që nga fillimi i luftës në vitin 2022, BE-ja dhe shtetet anëtare kanë premtuar rreth 205 miliardë euro ndihmë për Ukrainën në forma të ndryshme.









