Policia e Tiranës vijon kërkimet për kapjen e 39-vjeçarit Sadik Llani, i dyshuar si autor i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi. Sipas burimeve hetimore, përmes kamerave të sigurisë është arritur të gjurmohet itinerari i lëvizjes së tij në drejtim të zonës së Liqenit të Bovillës.
Forcat RENEA kanë zhvilluar kontrolle gjatë mbrëmjes në rreth 15 objekte të ndryshme, por deri më tani nuk kanë arritur të lokalizojnë të dyshuarin. Paralelisht, kontrolle janë ushtruar edhe në zonat malore të Krujës, ndërsa operacioni i kërkimit vijon.
Policia ka gjetur automjetin e autorit të dyshuar të braktisur pranë Liqenit të Bovillës, por brenda tij nuk janë konstatuar sende të kundërligjshme. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë marrë në pyetje 8 persona, të cilët deri më tani nuk kanë dhënë detaje të vlefshme për grupin hetimor.









