Senatori i njohur demokrat amerikan, Bernie Sanders, ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri kundër projektit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar atë si një shembull të “oligarkisë globale”.
Reagimi i tij vjen pas demonstratave të qytetarëve dhe organizatave mjedisore që kundërshtojnë ndërtimin e një resorti luksoz në këtë zonë, projekt që lidhet me Jared Kushner dhe partnerë nga Katari.
Në reagimin e tij, Sanders shkruan:
“Në Shqipërinë e vogël, mbi njëqind mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz shkatërrues për mjedisin, i planifikuar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari. Kjo është ajo se si duket oligarkia globale dhe njerëzit po thonë JO.”
Senatori amerikan e shoqëroi postimin me një fotografi nga protestat, duke vënë theksin te kundërshtimi qytetar ndaj projektit që ka ngjallur debate të forta në Shqipëri për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe në zonat e mbrojtura natyrore.
Projekti i propozuar në zonën e Zvërnecit dhe lagunës së Nartës ka qenë objekt diskutimesh të vazhdueshme mes institucioneve, organizatave mjedisore dhe komuniteteve lokale. Kundërshtarët e tij argumentojnë se zhvillimi i një resorti luksoz në këtë zonë mund të dëmtojë ekosistemin dhe biodiversitetin e një prej hapësirave më të rëndësishme natyrore në vend.









