Mes protestave të ashtuquajtura “Revolucioni i Flamingove” në Shqipëri, që shpërthyen kundër një projekti turistik luksoz dhe u zgjeruan si një lëvizje më e gjerë kundër qeverisë, është thelluar edhe përplasja diplomatike dhe retorike mes Tiranës dhe Teheranit.
Nga njëra anë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, pretendon se pas tensioneve dhe narrativëve që po qarkullojnë, qëndron një fushatë e organizuar dezinformimi dhe ndërhyrjeje nga Irani, të cilën ai e lidh edhe me sulmet e mëparshme kibernetike ndaj Shqipërisë.
Nga ana tjetër, pala iraniane dhe rrjetet e lidhura me të e paraqesin Shqipërinë si një bazë për aktivitetet e opozitës iraniane dhe si pjesë të një agjende më të gjerë kundër regjimit në Teheran.
Këto përplasje zhvillohen ndërsa mijëra qytetarë, prej ditësh, protestojnë në rrugët e Tiranës, si edhe në disa kryeqytete botërore ku jetojnë shqiptarë, kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz, të planifikuar nga Jared Kushner – dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump – në një zonë të izoluar të bregdetit shqiptar.
Kritikët kërkojnë anulimin e projektit, duke argumentuar se ai cenon një zonë të mbrojtur, e cila shërben si habitat për flamingot, fokat dhe breshkat e detit.
Akuzat për “luftë hibride” dhe përplasja diplomatike
Rama, i cili nuk heq dorë nga projekti, thotë se Irani është përfshirë në një “luftë hibride” dezinformimi kundër investimit, i cili mund të arrijë vlerën prej 4 miliardë eurosh.
“Ai është pjesë e kësaj, sepse nuk është askush tjetër i interesuar të nxisë narrativin e antisemitizmit, bazuar në një lajm të rremë, të pabesueshëm dhe të neveritshëm”, tha Rama për gazetën amerikane Politico, duke iu referuar teorive konspirative se projekti mund të përfshijë zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza në territorin shqiptar.
Për Iranin, i cili ndodhet në tensione të vazhdueshme me SHBA-në dhe Izraelin, këto pretendime janë “qesharake”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, tha se autoritetet shqiptare po shmangin përgjigjen ndaj kërkesave të qytetarëve të tyre dhe po përpiqen ta mbyllin çështjen përmes akuzave ndaj Teheranit.
“Populli shqiptar është mjaftueshëm i mprehtë për të mos i besuar këto pretendime”, u shpreh ai në një konferencë për media.
Rama reagoi me një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë politike, duke rikthyer në vëmendje sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, të cilat Tirana ua atribuon aktorëve të mbështetur nga Irani.
Sipas tij, Shqipëria ka qenë vazhdimisht cak i një fushate të qëllimshme dezinformimi dhe përpjekjesh për destabilizim.
“Regjimi juaj mund të hakojë rrjete, të burgosë kritikë, të censurojë zëra, të kërcënojë kundërshtarë, të ushtrojë presion mbi fqinjët dhe të prodhojë pafund justifikime për dështimet e veta. Por, nuk mund t’i shpëtojë përgjithmonë realitetit”, shkroi Rama në platformën X.
Ai tha se tensioni lidhet kryesisht me praninë e opozitarëve iranianë në Shqipëri, të cilëve vendi u ka ofruar strehim nga regjimi i Teheranit.
“Ju nuk ia falni Shqipërisë që strehoi burra dhe gra iraniane që ju kërkuat t’i heshtnit përmes frikës, burgosjes dhe vdekjes, vetëm sepse guxojnë të mendojnë, të flasin apo të ëndërrojnë ndryshe”, shkroi Rama.
Prania e MEK-ut dhe tensionet e vazhdueshme
Shqipëria strehon rreth 3.000 anëtarë të Organizatës Popullore Muxhahedine të Iranit (MEK) – një lëvizje opozitare në mërgim kundër regjimit në Teheran.
Ata u zhvendosën në vitin 2013 nga Iraku, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe për arsye humanitare, dhe prej atëherë jetojnë në një kamp pranë Durrësit.
Prania e tyre është shoqëruar disa herë me tensione.
Në qershor të vitit 2023, Policia e Shtetit ndërhyri në kampin e MEK-ut, nën dyshimet për “provokim lufte” dhe “sulme kibernetike”, por grupi i hodhi poshtë akuzat, duke e cilësuar operacionin si të padrejtë dhe shtypës./ REL









