Investimet strategjike janë te mirëseardhura në vendet në tranzicion, veçanërisht në Shqipëri, kryesisht në sektorin e turizmit që përbën sektorin me përparësi krahasuese signifikante në raport me sektorët tjerë të Shqipërisë. Kështu zhvillohet edhe turizmi elitar, që në Shqipëri në masë të konsiderueshme mungon krahasimisht me vendet tjera përreth si Greqia, Malí i Zi e Kroacia. Në këtë kontekst Sazani mund të jetë një Mykonos apo Korfuz shqiptar, e kur këtij zhvillimi ishullor i shtohet edhe ndërtimi i aeroportit të Vlorës, që për momentin fatkeqësisht nuk është në perspektivë të mirë finalizimi, atëherë krahasimi i turizmit elitar shqiptar me turizmin elitar grek apo kroat mer kuptim të avantazhit konkurues për turizmin shqiptar.
Fjalia kapitale që më del nga leksionet e mia të Makroekonomisë, qoftë nga shkolla klasike e Makroekonomisë, që mbështetet në konceptin liberal të tregut, apo shkolla Kejnsianiste, që mbështetet në konceptin e intervenimit të shtetit në ekonomi është: “Vetëm përmes stimulimit për zhvillim të sektorit me përparësi krahasuese, kemi ekonominë e ofertës agregate rritëse në plan afatgjatë, e kjo përkthehet në rritje ekonomike (rritje të PPB-së), të shoqëruar me reduktim inflacioni (rrënie çmimesh), që në ciklin prapavajtës të rrjedhës ekonomike përmirëson ndjeshëm performancën e sektorit të brendshëm, përmes punësimeve dhe sektorit të jashtëm, deficitin tregtar e eksportet neto. Të mos harrojmë që Greqia pas krizës eklatante, 65 përqind të PPB-s, e financoi nga turizmi, më shumë nga ai elitar.
Leximet e mia për gjendjen makroekonomike të Shqipërisë nuk flasin mirë; Borxhin publik e ka sa 75% i Produktit të Pergjithshëm Bruto, krahasaimisht sa trefishi i borxhit publik të Kosovës dhe dukshëm më të lartë se Maqedonia e Veriut, e deficitin tregtar të tmershëm, fatkeqësisht. Të ndodhur në këtë situatë, në mendimin tim, Shqipëria nuk ka luksin e kredimarjes shtesë, siç mund ta këtë Kosova, hipotetikisht, por vetëm investimet strategjike afatgjatë mund të shpëtonë vendin nga kollapsi ekonomik. Fundja, më mirë një Sazan me jahta superliksoze që efektuojnë zhvillim ciklik në turizëm të përkthyer në rritje dhe mirëqenie, sesa një Sazan me gjarpërij, siç mund të jetë tani, por me kushtin e vetëm të kontrollit shtetëror të pronës.
Është çështje interpretuese e ligjit për investime strategjike në Shqipëri. Në gjykimin tim investitorit strategjik duhet ti lejohet e garantohet vetëm prona mbi kapitalin e investuar, ashtu siç u bë ligji i investimeve strategjike në Maqedoni të Veriut, dhe jo prona mbi tokën e pronën publike mbi bazë të së cilës bëhet investimi.
Sinqerisht, e mendoj që në këtë kohë të pabarazisë evidente në zhvillim, të lindur nga keqpërdorimi e ekonomisë së tregut të lirë nga ekonomia e kapitalit agresiv, ku të themi 90 përqind e kapitalit botëror është në duar të më pak se 10 përqind të popullsisë botërore, ku 5 njerëz në botë janë më të pasur, të themi se 50 shtete sovrane, duhet shumë kujdes në hartim të ligjeve të investimeve strategjike, në mënyrë që këto ligje të mos kenë efekt në shitje të pronës publike, sepse kjo më tutje deformon sovranitetin, e kështu edhe shtetësinë përmes kolonizimeve potenciale, e për shtete të vogla teritorialisht si Shqipëria, kjo mund të përbëj shqetësim kombëtar.
Investime strategjike PO, por vetëm të tilla ku garantohet e rruhet prona mbi kapitalin e investuar dhe prona e tokés i takon sovranit, privat ose publik.
Por kur flet sovrani në rrugë, teoritë nga librat e Makroekonomisë vdesin; e sovrani në rrugë gjithmonë ka të drejtë.









