-sidi education-spot_img
26.1 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Prof. Dr. Fadil Maloku: Shqiptarët rebelohen jo kundër flamingove, por qeverisjes denigruese!

Kryesoret

Protestat në Shqipëri, në gjykimin tim, midis tjerash mund të interpretohen edhe si produkt i ndërthurjes së disa proceseve apo dinamikave që janë duke ndodhur paralelisht në politikën shqiptare. E para, procesi i krizës evidente të përfaqësimit politik, që është “produkt” i stërzgjatjes së qeverisjes me “fytyra” të njëjta për gati tri dekada. Dhe e dyta, procesi i vetëkërkimit të një identiteti të ri kolektiv qytetar, që po kërkon identifikim me standardet evropiane.

Dhe e gjithë kjo arkitekturë rebeluese që sot po shquhet e identifikohet si “Revolucioni i Flamingove” në Shqipëri (jo si revoltë për flamingot, por si revoltë për qytetarin, ku mbrojtja e mjedisit u shndërrua në simbol të rezistencës ndaj përjashtimit nga vendimmarrja), nuk mund të thuhet se ndërlidhet ekskluzivisht vetëm me investimet e familjes Trump e as me resortin superluksoz që po pretendohet të ngrihet në bregdetin shqiptar, por me disa zhvillime e procese të reja në horizontin global dhe ate kontinental.

Zhvillime këto që unë i shoh më shumë si pasojë të frustrimit të brezave të rinj, të cilët për këto tri dekada të tentimit për të ndërtuar institucione demokratike, ishin të përjashtuar nga vendimmarrja që e përcakton të ardhmen e tyre, sesa si rezultat i ndonjë komploti të jashtëm, ashtu siç po mundohet ta imponojë “narrativa” e regjimit autokratik të Edi Ramës.

Në anën tjetër, këtij konstatimi, kur i shtojmë edhe gatishmërinë e këtij brezi për t’u “familjarizuar” me rreziqet që sjellin demonstrime të tilla, kuptojmë më mirë gjithë mozaikun e ngjarjes me të cilën Shqipëria po ballafaqohet për herë të parë në tranzicionin e saj të stërzgjatur. Pra, fakti që qytetarët shqiptarë, duke demonstruar revoltën dhe pakënaqësinë e tyre, në fakt po demonstrojnë edhe një lloj pjekurie qytetare, nënkupton se ata janë bërë pjesë e atij areali global rebelues që di të shprehë pakënaqësi ndaj çdo padrejtësie, qoftë ajo politike, sociale apo mjedisore, e cila në këtë rast po shërben vetëm si shkak apo si “shkëndijë” për mobilizim.

Por, kur gjithë kësaj “odisejade” revoltuese i shtojmë edhe disa specifika dalluese, që në gjykimin tim duhet të hulumtohen pikërisht te pakënaqësitë dhe frustrimi i krijuar nga ana e pushtetit të Edi Ramës, i cili, duke e trajtuar qytetarinë shqiptare si një lloj turme amorfe, për të mos thënë një lloj “kopeje postmoderne”, që mund të kontrollohet me lehtësi përmes mekanizmave hibridë, në fakt ka shërbyer si një lloj “karburant” mobilizues për ta shprazur këtë frustrim.

Kjo revoltë na dëshmon dhe sinjalizon se kjo kastë politike, si brez ashtu edhe si garniturë tipike kastike duhet të pensionohet dhe t’u lëshojë rrugë brezave të shkolluar dhe të përgatitur, të cilët kanë migruar pa fajin e tyre gjatë kohës së “kacavirrjes” nëpër anijet italiane, në vitin 1997…

Element tjetër që e karakterizon protestën e sotme masive shqiptare duhet parë edhe si pasojë e indiferencës sistematike të pushteteve, e sidomos të pushtetit autokratik të Edi Ramës, i cili, i zhytur në moçalin e vetëkënaqësisë së manipulimit me qytetarët shqiptarë, ka keqpërdorur pushtetin në shumë sfera të jetës: sociale (duke thelluar dallimet midis shtresave), politike (duke instaluar, në vend të kriterit të meritokracisë, kriterin e mediokritetit), ekonomike (duke rritur në mënyrë drastike diferencat midis njerëzve) dhe kulturore (duke injektuar paragjykime dhe stigmatizime në jetën e përditshme).

Pra, ky nuk është assesi vetëm reagim spontan ndaj një ngjarjeje të vetme (Zvërnecit), por është një manifestim i ri qytetërues i një krize të akumuluar besimi, përfaqësimi dhe legjitimiteti, ku qytetari kërkon të rikthejë kontrollin dhe rolin e garantuar në skenën e munguar politike shqiptare, apo siç thuhet, një lloj “politike jashtë politikës”. Rol ky që përveç që është një simbol defrustrimi është edhe një tregues i kalimit nga apatia dhe rezignimi në një “aktivizëm postmodern”.

Qytetaria shqiptare, tashmë e pjekur dhe e emancipuar, nuk po e pranon më rolin e spektatorit dhe indeferentit, por kërkon të bëhet aktor kreativ i së ardhmes së vet. Të ardhmes, ku ata, përmes “kontratës sociale” me pushtetin, ishin të obliguar të paguanin taksa, të respektonin normat dhe vlerat e sundimit të ligjit në favor të mirëqenies së vendit, por që në këmbim nuk morrën as siguri, as mirëqenie, e as drejtësi dhe barazi, të cilat ua garantonte “kontrata” e lidhur më herët me kastën politike.
Dhe nëse këto protesta vazhdojnë më tutje, e unë mendoj se do të vazhdojnë dhe duhet të vazhdojnë pa ngarkesa ideologjike e politike, ngase vetëm kështu dëshmojnë gatishmërinë e “shkurorëzimit” definitiv nga kultura e nënshtrimit ndaj karizmës autokrate, e cila në mentalitetin shqiptar është transplantuar mjeshtërisht nga përvoja e komunizmit të vrazhdë si sui generis të kohës së diktaturës.

Thënë më ndryshe, objektivi i revoltës nuk është vetëm pushteti, por edhe legjitimiteti i tij, pasi qytetarët kanë filluar të vënë në dyshim jo vetëm vendimet, por edhe të drejtën morale të pushtetit për të qeverisur me metoda arbitrare, pa transparencë, pa llogaridhënie dhe pa përgjegjësi.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit