Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas përfundimit të seancës gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar procesin të zhvilluar në kushte mungese transparence dhe me kufizime të forta për praninë e medias dhe publikut në sallë.
Sipas tij, mënyra e zhvillimit të seancës dhe vendimet procedurale të gjykatës përbëjnë, në vlerësimin e tij, një cenim të lirisë së fjalës dhe të së drejtës për informim në një çështje me interes të lartë publik.
“Ky është një vendim arbitrar që pengon të drejtën e gazetarëve për të filmuar dhe informuar publikun, si dhe cenon transparencën e një procesi me interes të lartë publik. Në sallë lejohen vetëm 10 deri në 15 persona, çka e bën të pamundur një mbulim të plotë dhe të hapur të seancës. Ne i bëjmë thirrje organizatave ndërkombëtare dhe atyre të mbrojtjes së lirisë së medias që të reagojnë ndaj kësaj situate që, sipas nesh, cenon rëndë lirinë e fjalës dhe transparencën,” u shpreh Tedi Blushi.
/5pyetjet.al









