Avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka bërë të ditur pas seancës gjyqësore se mbrojtja do të kërkojë thirrjen e rreth 150 dëshmitarëve në proces, duke përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama, të cilin e konsideron si një dëshmitar të rëndësishëm për disa prej episodeve të dosjes.
“Ne do të paraqesim një listë dëshmitarësh që, së bashku me ata të kërkuar nga organi i akuzës, shkojnë rreth 150 persona. Këta dëshmitarë do t’i shërbejnë gjykatës për të krijuar një panoramë sa më të plotë të çështjes dhe për të sqaruar çdo episod të hetimit. Në këtë listë do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, të cilin e konsiderojmë një dëshmitar kyç për të paktën dy apo tre episode, pasi ka pasur rol dhe dijeni në zhvillimet përkatëse gjatë periudhës 2009–2013 dhe më tej”, u shpreh avokati Kujtim Cakrani.
/5pyetjet.al









