-sidi education-spot_img
31.7 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Prof. Dr. Fadil Maloku: A po hyn Shqipëria në një fazë të mosbindjes totale qytetare?

Kryesoret

Në traditën e demonstrimeve qytetëruese, apo në përvojat, taktikat dhe strategjitë e rivendosjes së një rendi të ri, kur qytetarët veprojnë në unison të plotë dhe me një vetëdije të përbashkët, gjasat për ta ndryshuar atë maksimalizohen aq shumë sa që bëhet e pamundur rezistenca e çfarëdo pushteti, qoftë ai autokratik apo diktatorial.

Mirëpo, nëse protesta klasike (demonstratat masive, sikurse po ndodhin aktualisht në Shqipëri) fillon ngadalë të humbë intensitetin dhe ta zbehë interesimin qytetar që shërbeu si shkak mobilizues, atëherë kura më mirë për ta “mirëmbajtur” atmosferën mobilizuese të revoltuesve është mosbindja qytetare. Dhe, për ta arritur këtë stad rimobilizues, paraprakish duhen disa kushte apo kritere strukturore. Ndër këto kushte e kritere që kanë formë dhe përmbajtje të testuara në traditën demokratike, unë po hedh disa nga ato.

A do ta vulosin “reflektorët e revoltës” suksesin e mosbindjes qytetare shqiptare?

E para, në momentet kur organizatori (sponsorizuesi), apo organizatorët, siç po ndodh në rastin e protestave shqiptare, konstatojnë “pulsin” e rënies së interesimit për demonstrim, me automatizëm duhet që protestën ta transformojnë në “binarët” e mosbindjes qytetare.

E dyta, “vjelja” e rezultateve të para të fillimit të mosbindjes qytetare janë ata “reflektorët” e parë që dëshmojnë apo demantojnë nivelin e efekteve. Por, për t’u arritur ky nivel, paraprakisht mosbindja duhet të përfshijë: sferën politike, ku duhet të përkujtohen të gjitha të bëmat dhe të gjitha veprimet e të gjitha qeverive të përfshira në skandale, afera, krim dhe korrupsion gjatë tërë procesit të tranzicionit të ndodhur në këto tri dekadat e fundit; sferën institucionale, ku do të animohej gradualisht, përmes rrjeteve sociale, administrata, që në rastin shqiptar ka pak gjasa, edhe për shkakun se tradicionalisht ka qenë e lidhur me pushtetmbajtësit, qofshin ata demokratë apo socialistë; sferën ekonomike, ku të gjitha shtresat e punëtorëve që e kanë problem mbijetesën dhe ekzistencën do të alarmoheshin për rrezikun që u kanoset nga ky model denigrues i qeverisjes.

Nëse Edi Rama vazhdon të tallet me protestën, qytetarët do ta zgjedhin mosbindjen

E treta, në rast se protestat mbeten vetëm në nivelin simbolik, gjasat janë që regjimi i Edi Ramës, me lehtësi dhe pa asnjë kosto relevante politike, të mund t’i absorbojë dhe t’i shndërrojë ato në “folklorizëm” dhe përqeshje, ashtu siç vepronte me studentët, të cilët arriti t’i ulë (t’i mashtroj!) në tavolinë dhe t’ua thyejë mendjen me “oferta” dhe me privilegjebindividuale. Në rastin e protestës së tanishme, organizatorët nuk guxojnë të bien pre e kësaj përvoje të hidhur përçarëse të “trurit” të protestave.

Aleanca që mund të përmbysë gjithçka

E katërta, suksesi apo fitorja finale e protestuesve mund të materializohet vetëm nëse atyre u bashkëngjiten masovikisht qytetarët e shtresës së mesme, që në Shqipëri ende është në fazën e “adoleshencës” sociale dhe sa po kuptoj ajo ende po hamendësohet rreth pjesëmarrjes. Hamendësime, këto që “truri” i të revoltuarve duhet t’ua largoj përmes argumenteve që do plasoheshin në mediat dhe televizionet që kanë  besim në kauzën qytetare.

Kësaj vale të shtresës së mesme duhet t’i bashkëngjiten edhe studentët, të cilët veten poashtu e perceptojnë si të përjashtuar dhe të pa perspektivë për të ardhmen e tyre. Shto këtu edhe sindikatat dhe grupet e ndryshme margjinale profesionale që veten e tyre e shohin si të kërcënuar dhe të pambrojtur nga ky kapitalizëm (jo normal!) grabitqar që e instaloi kasta e “trekëndëshit të Bermudës” (politikani, oligarku dhe mafia!).

Dhe krejt ky mobilizim duhet ta ketë një dhe të vetmin qëllim: atë të humbjes së legjitimitetit qeverisës dhe të komprometimit moral. Themi komprometimit moral, ngase historia e lëvizjeve paqësore na dëshmon se mosbindja qytetare mund t’i “shijojë” efektet që “preken” lehtësisht nga të gjithë vetëm atëherë kur revolta arrinë të artikulohet si morale gjithëpopullore, e jo si konflikt ndërpartiak apo ideologjik. Përvojë kjo që u “testua” gjatë të gjitha protestave që bëri Partia Demokratike, me Sali Berishën, ajo me Lulin, si edhe ajo me ish-presidentin Ilir Meta.

Humbja e Legjitimitetit, një goditje që asnjë pushtet s’e përvallon dot

E pesta, duhet kuptuar po ashtu se vetë akti i protestimit, bashkë me simbolikën e demonstrimit, sado paqësore, nuk është ai “çelësi” kryesor që zakonisht e detyron një qeveri të japë dorëheqje, por është humbja graduale e legjitimitetit, e cila duhet të shoqërohet me mosbindje të thellë qytetare.

Andaj, themi se, nëse protestat në Shqipëri fillojnë të zbehen dhe dobësohen numerikisht dhe nuk transformohen në forma më atraktive, më joshëse e më bindëse në kuptimin e përkujtimit të argumenteve komprometuese, si ato që kanë të bëjnë me skandalet qeveritare e opozitare, me aferat korruptive që u zhvilluan gjatë tranzicionit, ashtu edhe me plaçkitjet e pasurive shtetërore dhe sidomos me tendencat e qëllimshme të dëbimit të resurseve njerëzore nga vendi etj., atëherë ka shumë gjasa që e gjithë “arkitektura” revoltuese të shndërrohet në mosbindje totale qytetare.

Këtë fakt të transformimit nga faza e protestës në fazën e mosbindjes totale na e dëshmojnë shumë histori të lëvizjeve sociopolitike në të kaluarën. Megjithatë, duhet kuptuar një fakt elementar që mosbindja qytetare nuk na ofron asnjë garanci se ndryshimi i synuar për ta bërë një “Shqipëri të re”, ku meritokracia ka vlerë, ku sundimi i ligjit vlenë për të gjithë, ku luftohet krimi dhe korrupsioni, etj.etj., mund të ndodhë me automatizëm! Suksesi i këtij obligimi kombëtar apo i kësaj narrative sublime morale e kombëtare varet shumë nga disa faktorë relevantë.

E para, duhet të ndodh “zhveshja” totale e protestuesve nga aureola e çfarëdo ndikimi dhe ngarkese partiake, por jo edhe nga interesi shtetëror e ai kombëtar. E dyta, duhet të animohet mbështetja sa më masovike e shtresës së mesme, e studentëve, e intelektualëve me peshë dhe kredibilitet të ruajtur, si dhe nga sindikatat e margjinalizuara që në Shqipëri janë shndërruar në “folklor” e “ikonografi”.

Dhe e treta, nga ajo që është më e rëndësishme dhe ka të bëjë me kompetencën e artikulimit të protestës si një kërkesë legjitime morale për drejtësi dhe dinjitet, e jo si një konflikt ideologjik që pretendon reinstalimin e pushteteve të vjetëra. Shikuar nga kjo perspektivë, regjimeve autoritare e diktatoriale vetëm humbja e besimit dhe e legjitimitetit publik mund të ua sjellë fundin…

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit