Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka paraqitur në Kuvend një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat mbi raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025.
Kërkesa është firmosur nga kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili kërkon që Kuvendi të diskutojë gjetjet dhe rekomandimet e raportit europian, duke i cilësuar ato si të rëndësishme për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Sipas Partisë Demokratike, në raport janë evidentuar 20 çështje kryesore që lidhen me shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e institucioneve, lirinë e medias, proceset zgjedhore dhe standardet demokratike.
Opozita thekson se këto gjetje kërkojnë një debat të posaçëm parlamentar dhe adresim institucional, me qëllim përmirësimin e situatës dhe përshpejtimin e reformave në rrugën e integrimit europian.
Pritet që Konferenca e Kryetarëve të vendosë nëse kërkesa e demokratëve do të përfshihet në rendin e ditës për shqyrtim në Kuvend.









