Shqiptarja nga Kosova, Ikballe Berisha Huduti me anë të një postimi të gjatë në facebook i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit ditën e sotme në rrjetin e tij social me iluistrimin e një fotoje me përshkrim e ka përmendur këtë të fundit, lidhur me pjesëmarrjen e saj në protestën antiqeveritare në Tiranë, si një personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” në emër të Allahut që predikon urrejtje dhe thërret për kryengritje ndaj qeverisë në Shqipëri.
Ndërkohë po sot Ikballe Huduti Berisha, me urdhër të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, është shpallur person non grata “i padëshiruar” për 15 vite në Shqipëri me arsyetimin se veprimtaria e saj përbën rrezik për vendin dhe sigurinë kombëtare.
Erdhi nga Kosova në protestë! Rama shpall non grata Igballe Hudutin
Postimi i Ikballe Berisha Huduti
I nderuar Kryeministër Edi Rama.
Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.
Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.
Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi botëror si dhe BE që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.
As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.









