Qeveria ka miratuar një vendim të ri që përcakton rregulla të detajuara për pezullimin dhe revokimin e licencave të operatorëve të basteve sportive online në Shqipëri.
Sipas vendimit, masat do të merren ndaj subjekteve që nuk përmbushin kushtet e licencimit, shkelin ligjin, nuk garantojnë fondin e sigurisë ose nuk shlyejnë detyrimet ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dhe fituesve.
Procedurat nisin nga AMLF ose Komisioni i Licencave dhe përfundojnë me vendimin e ministrit të Financave, pas shqyrtimit të rastit. Operatorëve u garantohet e drejta për t’u dëgjuar dhe për të ankimuar vendimin në gjykatë.
Licenca mund të pezullohet nga 30 ditë deri në dy vjet, gjatë së cilës aktiviteti ndalohet, ndërsa vendimi hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.