Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një postimi të gjatë në faqen e tij facebook ka reaguar lidhur me 25 vjetorin e Pavarësisë së SHBA.
Reagimi i plotë i Kurtit
Një deklaratë pavarësie, shikuar si ngjarje historike, ndodh në një kohë dhe vend të caktuar. Sot, pra, festojmë përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental i 13 kolonive të Britanisë së Madhe, pas kuvendimeve në Dhomën e Asamblesë të Parlamentit Shtetëror të Pensilvanisë në qytetin e Filadelfisë, nënshkroi përfundimisht Deklaratën e Pavarësisë. Kështu, me atë datë të famshme, lindi një shtet i ri: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mirëpo, Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve, në përmbajtjen e saj, ka një rëndësi dhe domethënie të veçantë, e cila shkon përtej datës dhe vendit ku u miratua. “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme; se ndër këto të drejta janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”. Duke u thirrur në këto vlera dhe të drejta universale, të pakufizuara në kohë dhe hapësirë, ajo që sot quhet “Fryma e ’76-ës” ka mundur jo vetëm të mbijetojë, por edhe të jetojë, fuqishëm, në mendjet dhe zemrat e patriotëve të çdo epoke dhe çdo populli.
Kjo vlen sidomos për popullin shqiptar. Më 4 korrik 1918, këtu e 108 vite më parë, në 142-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si përfaqësues i federatës shqiptare “Vatra” Fan Noli do shkëmbente nja dy-tri fjalë me Presidentin Woodrow Wilson. Në jahtin presidencial U.S.S. Mayflower, në kthim e sipër për në Washington DC nga Mount Vernon, ku kishin bërë nderimet festive te varri i George Washington-it, Noli gjeti rastin t’i thoshte presidentit të njëzetetetë amerikan që zbatimi i parimeve të tij për vetëvendosjen do t’i garantonte Shqipërisë të drejtat e saj. Presidenti Wilson iu gjegj rilindasit tonë erudit duke e siguruar atë se ato parime do të mbretëronin meqë ShBA-ja do të luftonte për to. Ajo që ne shqiptarët e quajmë Shqipëria londineze vërtet shpëtoi pas Luftës së Parë Botërore edhe në saje të parimeve të mishëruara në planin e paqes të njohur si “14 pikat e Wilsonit”.
Më pak se një shekull më pas, të njëjtave parime, që Deklarata e Pavarësisë e 4 korrikut 1776 i mbron me aq elokuencë, do t’i apelonte edhe lëvizja jonë për pavarësi. E drejta e popullit të Kosovës për vetëvendosje, që në fillim të shekullit XX ishte sakrifikuar në lojërat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, në fund të po atij shekulli dhe fillimit të atij vijues do të merrte mbështetjen më domethënëse pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 10 qershori i vitit 2007, kur George W. Bush deklaroi në Tiranë, “Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur,” bën pjesë te datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re shtetformuese. Pra brenda një harku kohor prej gati një shekulli, nga Shqipëria londineze te Kosova e pavarur, betejat shqiptare për vetëvendosje marrin dy herë mbështetje kritike nga kombi amerikan, i cili këtu e 250 vite më parë shpalli themelimin e tij duke u thirrur në të drejtat e patjetërsueshme në jetë, liri dhe kërkim të lumturisë.









