Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Emiljan Burbën, i cili po hetohet nga SPAK për dyshime mbi përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Sipas prokurorisë, Burba dyshohet se ka pasur rol drejtues në një organizatë që merrej me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në disa linja, nga Shqipëria drejt vendeve të Europës dhe nga Amerika e Jugut drejt Bashkimit Europian.
Hetimet për këtë çështje janë regjistruar në vitin 2024 dhe, sipas SPAK, janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritete vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë Eurojust dhe Europol.









