Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu kundërpërgjigj deputetëve të partive të vogla të opozitës gjatë seancës parlamentare, duke u kujtuar se nuk përfaqësojnë të gjithë popullin, për të folur në emër të qytetarëve.
Balla iu drejtua deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi.
“Ti s’ke asnjë të drejtë, as politike, as morale, të flasësh në emër të popullit, sepse në këtë sallë ka një shumicë të caktuar nga vota e një viti më parë. Ndërkohë që ti je thjesht dhe vetëm aksidentalisht në këtë sallë, sepse ke ardhur për shkak të dorëheqjes së një deputeti tjetër. Ti ke ardhur hajdutçe në Parlament”, deklaroi Balla.
Duke iu referuar protestave të zhvilluara në Tiranë, Balla tha se në fillim ato kishin një kauzë të drejtë për mbrojtjen e mjedisit, por më pas u politizuan.
“Protesta, kur nisi, ishte diçka e bukur. U nis në emër të disa kërkesave që lidhen me mjedisin. Por prej ditës së parë e kam thënë se kur hynë Saliu, Gonja, Qorri apo të tjerë, flamingot fluturuan dhe ngelën sorrat”, u shpreh ai.
Në fund të replikës, Balla hodhi edhe akuza ndaj deputetit të partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke kërkuar sqarime për shitjen e një apartamenti.
“Gone, sqaro si mund të shesë një njeri një apartament 151 metra katrorë për 15 milionë euro. Petët e byrekut po hapen. Flamingot janë një zog shumë i pastër dhe nuk rrinë me llumin, prandaj ikën nga ju. Llum”, deklaroi Balla.









