Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur urdhrat për zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, duke i hapur rrugë rikthimit të Alban Dokushit në postin e sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar, urdhrat janë protokolluar në institucion në zbatim të vendimit gjyqësor të formës së prerë, i cili ka shpallur të pavlefshme aktet që çuan në largimin e Dokushit nga shërbimi civil.
Gjykata ka vlerësuar se vendimi për lirimin nga detyra dhe përfundimi i marrëdhënieve financiare kanë qenë akte të pavlefshme, duke përcaktuar se ato nuk kanë prodhuar pasoja juridike.
Me këtë hap, vendimi i gjykatës kalon në fazën e zbatimit administrativ, duke rikthyer Dokushin në funksionin që mbante përpara largimit.









