Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka përshëndetur mbylljen e tre kapitujve të negociatave nga Shqipëria me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit.
“Është një moment i madh për Shqipërinë, është një ‘super e martë’ për zgjerimin dhe Shqipëria është pjesë. I mbyllëm tre kapitujt, kanë mbetur edhe 30 të tjerë. Këto janë fusha që janë pjesë e familjes evropiane. Përgëzimi për të gjithë miqtë tanë shqiptarë. Kjo u bë e mundur sepse Shqipëria ka përmbushur piketat e ndërmjetme për ligjin muajin e kaluar.
Ky është një hap i ndërmjetëm që do të thotë se reformat duhet të vazhdojnë të thellohen. Inkurajojmë që të vazhdohet progresi në sistemin e drejtësisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Vazhdojmë të mbështetemi te Shqipëria për reformat. Në Shqipëri, 92% e qytetarëve janë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, 84% besojnë se do të vijnë avantazhe nga integrimi në BE, 90% u besojnë BE-së. Është në duart tuaja që të jepni rezultate për qytetarët shqiptarë, në reformat që kanë më shumë rëndësi për ta. Unë do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim”, u shpreh Marta Kos.









