Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, me anë të një postimi në rrjetin e tij facebook ka reaguar lidhur me bojkotin e fundit të opozitës ndaj seancave plenare të Kuvendit, duke argumentuar se përballja me mazhorancën duhet të bëhet brenda sallës së parlamentit.
Postimi i Pollos
Prej dhjetë ditësh opozita nuk merr pjesë në seancë plenare për të protestuar ndaj abuzimeve kundraligore të mazhorancës rilindiste; kjo e fundit refuzon të fusë në kalendarin e punimeve të Kuvendit p/ligjet e PD të cilat normalizojnë ligjet për zonat e mbrojtura dhe anullojnë ligjin për “investitorin strategjik”.
Ky lloj abuzimi nuk ndodh për herë të parë në dekadën e fundit. Por mënyra efektive për t’a denoncuar e kundërshtuar atë është në plenare e pastaj gjetiu; me fjalë e vepra!
Shpresoj se do të ketë angazhim energjik në plenaret e korrikut, si dhe në vijim, në plenaret e vjeshtës.









