Një zonë e përbashkët sigurie për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e hapësirës unike evropiane të sigurisë, nuk është vetëm një hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por është kalimi nga logjika e çështjeve kombëtare te logjika e sigurisë së përbashkët. Në të asnjë shtet nuk e ndërton më sigurinë e vet duke prodhuar pasiguri për tjetrin
Paramendoni për një moment këtë ngjarje. Më 13 korrik të vitit 2028, në Berlin mblidhen shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nikoqiri i tyre, kryeministri gjerman mban fjalimin, në të cilin përmend se është zgjedhur data e para 150 vjetëve e Kongresit të Berlinit për një moment që do të shënojë njërën prej kthesave të mëdha të historisë së Ballkanit Perëndimor e të Evropës.
“Jemi këtu sepse njëqind e pesëdhjetë vjet pas Kongresit të Berlinit liderët e shteteve të Evropës Juglindore dhe ne të pjesëve të tjera të kontinentit pranojmë se çështjet kombëtare të hapura në shekullin XIX nuk mund të zgjidhen me instrumentet e shekullit XIX. Siguria nuk mund të ndërtohet më përmes zgjerimit territorial, sferave të ndikimit apo mbrojtjes së komuniteteve nga patronë të jashtëm, por vetëm përmes një hapësire të përbashkët evropiane të sigurisë.”
Në ceremoninë e nënshkrimit të dokumentit, liderët e Ballkanit Perëndimor janë të ulur e në këmbë prapa tyre janë liderët e shteteve anëtare të BE-së, që presin turnin për të vënë nënshkrimin e tyre prej vendit garantues. Njëqind e pesëdhjetë vjet më vonë garantuese nuk janë vetëm fuqitë tradicionale si Britania, Franca, Gjermania e Italia, por mes tjerësh edhe Spanja, Polonia e Ukraina.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s jep fjalimin përshëndetës.
“Sot, për herë të parë në historinë moderne të rajonit, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur, jo që dikush të vendosë për ta, por që ato vetë të marrin përgjegjësi për sigurinë e tyre të përbashkët”.
Në foton familjare liderët e Ballkanit Perëndimor mbajnë në duar Marrëveshjen e Sigurisë dhe Bashkëpunimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Prej kur është paralajmëruar Konferenca e Sigurisë dhe Bashkëpunimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Berlin dhe nënshkrimi i dokumentit përfundimtar, në medie tashmë ka hyrë shkurtesa me analogji historike. Në vend të Kongresit të Berlinit kjo ngjarje quhet Konferenca e Berlinit për Sigurinë e Ballkanit (apo edhe shkurt Konferenca e Berlinit) dhe akti i nënshkruar quhet Marrëveshja e Konferencës së Berlinit.
2.
Konferenca e Berlinit është kulminacioni i një pune intensive dyvjeçare, e cila filloi me një analizë të bërë më 2026 që thotë përafërsisht kështu:
a) Largimi i SHBA-së si kontribuuesi kryesor i sigurisë evropiane është një proces i pakthyeshëm, pa marrë parasysh kush është president.
b) Shtetet e Evropës do të marrin përgjegjësinë për hapësirën e vet të sigurisë, prej Britanisë së Madhe deri në kufirin Ukrainë-Rusi, duke përfshirë në këtë hapësirë si një faktor themelor edhe Turqinë.
c) Hapësira evropiane e sigurisë duhet të përfshijë Ballkanin Perëndimor. Kjo zonë e konflikteve të papërfunduara duhet të integrohet si zonë e sigurisë, brenda hapësirës unike evropiane të sigurisë.
d) Integrimi i Ballkanit Perëndimor si zonë e sigurisë brenda hapësirës evropiane të sigurisë do të shpejtonte integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe njëkohësisht kohezionin politik e të sigurisë të Evropës.
Përfundimi i analizës ishte përqendruar te përgjigjja ndaj pyetjes se cilat janë forcat shtytëse, apo vektorët historikë, që e bëjnë regjionin zonë te konflikteve të papërfunduara?
3.
Skajshmëritë ideologjike të shekullit XX, ndarja e botës në Luftën e Ftohtë, Ballkani i ndarë në sfera të ndryshme interesi?
Po, të gjitha kanë meritat e veta. Por, ishte Kongresi i Berlinit më 1878 momenti në të cilin Evropa institucionalizoi çështjet kombëtare të Ballkanit si pjesë të rendit të saj politik. Atëbotë Gjermania e Bismarckut, si palë e vetëdeklaruar e painteresuar në ardhmërinë e Ballkanit, thirri Fuqitë e atëhershme të mëdha për të parë se si do të menaxhohet “Kriza lindore”, gjegjësisht vdekja e ngadaltë dhe e sigurt e Perandorisë Osmane. Dhe, duke mbrojtur interesat e Fuqive perëndimore, u mor vendimi për njohjen e pavarësisë së Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Përgjatë 150 vjetëve të kaluar, Serbia ka mbetur peng e konceptit të atëhershëm: nëse Serbia është shtet kombëtar atëherë në të duhet të përfshihen të gjithë serbët. I tërë shekulli XX është dëshmitar i luftërave, viktimave serbe e të popujve fqinj të serbëve për përmbushjen e këtij caku të paarritshëm.
Shqiptarët, të papërfshirë në Kongres të Berlinit, mbetën peng të tij. U përpoqën të artikulojnë në Lidhjen e Prizrenit projektin e vet me një autonomi territoriale politike (brenda Perandorisë otomane) që do të ngërthente brenda tij shqiptarët e Ballkanit Perëndimor. Projekti i proto-shtetit kombëtar shqiptar nuk u realizua në formën e imagjinuar në shekullin XIX dhe shekulli XX kaloi me të vrarë, dëbuar e përndjekur për arritjen e integrimit të interesave të shqiptarëve në shtetet ku ishin shpërndarë. Shkrimi i plote tek KOHA.net









