-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Leonard Demi: Një sfidë strategjike afatgjatë

Kryesoret

Sot, në mjediset e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, Presidenti Xho Bajden do të takohet dhe do të zhvillojë bisedime kokë më kokë me Presidentin e Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, në një përpjekje për të ulur tensionet midis dy superfuqive rivale të krijuara nga përballjet diplomatike, ekonomike dhe ushtarake midis të dy qeverive.

Këto acarime kanë ardhur duke u rritur me vizitën e zonjës Pelozi, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, në Tajvan dhe kur Shtetet e Bashkuara rrëzuan një tullumbace të dyshuar si spiun kinez, që besohej se kishte hakeruar postën elektronike të qeverisë amerikane, përfshi atë të ambasadorit të SHBA në Republikën Popullore të Kinës (Kina) dhe të Sekretares së tregtisë. Liderët e dy fuqive më të mëdha të botës do të shtrojnë në tryezën e bisedimeve çdo element të marrëdhënieve, që zënë fill me luftën Izrael-Hamas, pushtimin rus të Ukrainës, lidhjet e Koresë së Veriut me Rusinë, Tajvanin, Indo-Paqësorin, të drejtat e njeriut, fentanilin, inteligjencën artificiale, si dhe për marrëdhënie “të drejta” tregtare dhe ekonomike.

Ata do të përpiqen të mënjanojnë ndërhyrjet, të kapërcejnë pengesat, të rrisin konsensusin dhe të arrijnë rezultate. Zyrtarët amerikanë bëjnë të ditur se, edhe pse Shtetet e Bashkuara janë në konkurrencë me Kinën, Amerika nuk kërkon konflikt, përballje apo një Luftë të re të Ftohtë. Takimi bëhet në një moment tepër vendimtar për Kinën, e cila po lufton me një ngecje ekonomike, që nxitet nga rënia e tregut të pronave dhe kriza e borxhit të administratave lokale, që ka ngadalësuar rritjen. Sidoqoftë, sot, 15% e të gjitha mallrave që eksportohen në botë dhe më shumë se gjysma e mallrave të konsumit prodhohen në Kinë.

Kina është konsumatori kryesor i bakrit, hekurit, nikelit, plumbit dhe aluminit; i dytë i naftës. Kina është ende prodhuesi kryesor i mineraleve të rralla, të nevojshme për prodhimin e paneleve diellore dhe të fermave të erës. Kina është titullari më i madh i bonove të thesarit amerikan. Por, ajo mban, gjithashtu, rekordin e trishtë të vendit më ndotës në botë (konsumon 50% të qymyrit botëror). Kina duhet të ushqejë rreth 17% të njerëzimit, me vetëm 7% të tokës së vet, pjesa tjetër është e papunueshme. Nga një eksportues i produkteve ushqimore në vitet 2000, në vitin 2023 ajo importon 23.2% të nevojave të veta ushqimor, përfshirë 47% të nevojave për grurë dhe pak më shumë se gjysmën e nevojave për misër.

Për të arritur synimet politike dhe ekonomike, Partia Komuniste ka montuar 200 milionë kamera në të gjithë vendin si pjesë e një sistemi, që vëzhgon dhe vlerëson sjelljen e qytetarëve dhe bizneseve në respektimin e ligjeve. Për respektim të pamjaftueshëm, qytetarëve mund t’u mohohen disa shërbime sociale, që lidhen me punësimin, arsimimin, strehimin dhe ndihmën sociale. Me gjithë këto, PPB i Kinës është ende sa gjysma e atij të Shteteve të Bashkuara dhe PPB për frymë është gjashtë herë më i ulët se ai i amerikanëve. Administrata e Presidentit Bajden e ka përshkruar Kinën si sfidën më serioze strategjike afatgjatë të Shteteve të Bashkuara dhe vëren se ajo përbën kërcënimin më shqetësues për rendin ndërkombëtar.

Zyrtarët amerikanë dhe kinezë kanë theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve midis dy ekonomive më të mëdha të botës. Kështu, këtë vit, Pekinin e vizituan disa zyrtarë të lartë amerikanë, si: Sekretari i Shtetit, Sekretarja e Thesarit dhe Sekretarja e Tregtisë për të bërë të qartë se, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë të vendosur të mbrojnë sigurinë kombëtare, nuk kërkojnë të ndërpresin lidhjet ekonomike me Kinën. Vitet e fundit, iniciativa e Kinës “Një brez dhe një rrugë” ka qenë mbizotëruese në vendet në zhvillim. Ajo i jep mundësinë Kinës të jetë e pranishme kudo dhe nëpërmjet marrëveshjeve të sigurisë me këto vende, promovon politikën e saj dhe siguron mallrat që i nevojiten. Kina po blen porte dhe tokë bujqësore në Evropë, Azi, Amerikën e Jugut, Afrikë dhe Australi.

Që nga viti 1990 deri në vitin 2020, Kina ka qenë partneri kryesor tregtar i më shumë se gjysmës së vendeve të botës. Sot, Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë ekonomikisht të ndërvarura dhe sfidat e përbashkëta me të cilat përballen janë të paprecedentë. Studiuesit amerikanë vërejnë se shpesh ngrihet pyetja se deri kur do të vazhdojë konkurrenca midis Amerikës dhe Kinës. Sipas tyre, Kina do të jetë një lojtar kryesor në skenën botërore për të ardhmen e parashikueshme, por Shtetet e Bashkuara kërkojnë një rend ndërkombëtar të lirë, të hapur, të begatë dhe të sigurt, i cili mbron interesat e Shteteve të Bashkuara dhe miqve të tyre, si dhe ofron të mira publike globale, ku Shtetet e Bashkuara fitojnë, po kështu edhe Kina.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të gëzojnë një marrëdhënie të konsiderueshme tregtare dhe investimesh me Kinën. Por, marrëdhënia ekonomike me Kinën është e ndërlikuar sepse Kina është një konkurrent. Kësisoj, amerikanët do të vazhdojnë të kundërshtojnë praktikat e padrejta tregtare, që dëmtojnë punëtorët amerikanë. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar se Kina mund të përfitojë nga hapja e Amerikës dhe mund të përdorë teknologjitë amerikane kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të vet. Sot Kina po zhvillon me shumë sukses inteligjencën artificiale për të cilën po investon sa 10% të fondeve globale të parashikuara për të, veçanërisht, në fushën e automobilave, në industrinë mekanike, shëndetësi, softuere, siguri, transportin publik dhe drejtësi. Kina zë vendin e parë në botë në tridhjetë e shtatë nga dyzet e katër lloj industrish kryesore të së ardhmes.

Kompanitë e mëdha kineze, që kontrollohen (jodrejtëpërdrejt) nga Partia Komuniste, si Baidu, Tencent dhe HuaWei, po investojnë fonde shumë të mëdha, sidomos, në fushën e transportit autonom. Në këtë sfond, Shtetet e Bashkuara kërkojnë të mënjanojnë rrezikun, të diversifikojnë dhe të mos shkëputen. Amerikanët duan të kufizojnë një numër teknologjish, të bëjnë atë, që disa ekspertë e kanë quajtur “një oborr i vogël dhe një gardh i lartë”. Shumë autorë mendojnë se këto masa janë proteksioniste dhe merren për përfitime tregtare. Një pjesë i hedh poshtë si të pavërteta sepse janë marrë në partneritet me të tjerët dhe bëhet fjalë për një grup të vogël teknologjish, që Shtetet e Bashkuara do t’i përdorin për të mbrojtur sigurinë kombëtare, por do të mbështesin një ekonomi globale të ndërlidhur.

TAJVANI

SHBA-të janë gjithashtu, të shqetësuar se Kina mund të ndikojë në zgjedhjet e afërta presidenciale në Tajvan, në një përpjekje të mëtejshme për të minuar demokracinë në ishull, të cilin Pekini e pretendon si territor të vetin. Shtetet e Bashkuara i kundërshtojnë fuqimisht përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit.

Edhe pse Uashingtoni nuk ka marrëdhënie zyrtare me Tajvanin dhe njeh vetëm një Kinë, është i detyruar nga ligji amerikan t’i sigurojë ishullit mjetet e nevojshme për t’u mbrojtur, veçanërisht tani që Kongresi ka rritur trysninë mbi administratën për të mbështetur Tajvanin më qartë. Por, me gjithë dallimet, Presidenti Bajden do t’i kërkojë Presidentit Xi të mbajnë të hapur një linje komunikimi për këtë çështje thelbësore.

TENSIONE USHTARAKE DHE KOMUNIKIMI

Uashingtoni është i alarmuar nga një grumbullim i paparë i forcave ushtarake të Kinës rreth Tajvanit, nga provokimet në rritje të avionëve ushtarakë kinezë ndaj avionëve amerikanë në atë zonë, si dhe nga një varg kërcënimesh detare në Detin e Kinës Jugore. Në këtë pikëvështrim, Bajden është i prirur të hartojë një “kuadër” për të mbikëqyrur marrëdhëniet, duke i mbajtur linjat e komunikimit të hapura për të shmangur përshkallëzimin e mundshëm ushtarak. Një llogaritje e gabuar mund t’i çojë të dyja fuqitë botërore në konflikt të hapur.

Edhe pse Pekini mbetet ngurrues, Bajden do të këmbëngul për “rëndësinë kritike” të rivendosjes së linjave të komunikimit midis ushtrisë amerikane dhe kineze, si dhe të bashkëpunojnë në fusha me shqetësim të përbashkët, përfshirë pushtimin rus të Ukrainës, lidhjet e Koresë së veriut me Rusinë dhe marrëdhëniet në Indo-Paqësor. Nga pikëpamja ushtarake, Kina është bërë fuqia e dytë botërore.

Ushtria e saj vjen e treta në botë, pas ushtrisë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë; ka rreth katërqind koka bërthamore, 975 000 trupa dhe 355 anije dhe nëndetëse, por buxheti i saj ushtarak është ende sa një e treta e atij të Shteteve të Bashkuara.

LINDJA E MESME, IRANI

Pekini ka një marrëdhënie të ngrohtë tregtare dhe diplomatike me Teheranin, të cilën e dëshmon mbledhja e 6 marsit 2023, ku përfaqësues nga Irani dhe Arabia Saudite u takuan në Pekin për të normalizuar marrëdhëniet midis tyre me ndërmjetësimin e Kinës. Marrëveshja e arritur ishte historike sepse mbarte një potencial për të transformuar Lindjen e Mesme.

Ajo do t’i jepte fund një prej rivaliteteve më të rënda të rajonit dhe do të zgjeronte lidhjet ekonomike në të gjitha vendet e Gjirit Persik, duke riorganizuar mundësitë e tij të mëdha, duke zëvendësuar ndarjen aktuale arabo-iraniane me një rrjet kompleks marrëdhëniesh dhe duke e gërshetuar rajonin me ambiciet globale të Kinës. Me këtë marrëveshje Pekini bënte një hap të madh përpara në rivalitetin e tij me Uashingtonin. Pos kësaj, Kina jo vetëm që ka zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme praninë e saj ekonomike në Iran, por është e interesuar të mbështesë planin e Moskës për të zhvilluar një korridor tranziti përmes Iranit, që do të lejonte tregtinë ruse të arrinte tregjet globale pa përdorur Kanalin e Suezit.

Kësisoj, Irani e mirëpret thellimin e rolit të Kinës në Lindjen e Mesme, sepse dobëson ndikimin e SHBA-ve në rajon dhe minon regjimin e sanksioneve amerikane, që ka gjymtuar ekonominë e Iranit. Nga ana tjetër, lidhjet më të mira të Iranit me vendet e Gjirit do të zvogëlonin kërcënimin që përcjell për të Marrëveshja e Abrahamit, të cilën Irani nuk mund ta toleronte. Në San Francisco, Presidenti Bajden, mbështetur në lidhjet e Pekinit me Teheranin dhe strategjitë kineze në Lindjen e Mesme, do t’i kërkojë Presidentit Xi të përfshihet në përpjekje diplomatike me Iranin për të parandaluar përshkallëzimin e luftës Izrael-Hamas.

Bajden e ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin të mos i inkurajojë përfaqësuesit e vet, si Hezbollahun, që të hyjnë në konflikt, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen çdo zgjerimi të luftës të shkaktuar nga Irani. Së fundmi, studiuesja e Institutit Brookings, Patricia Kim, vëren se zjarret në Lindjen e Mesme dhe në Evropë shërbejnë si një kujtesë për sistemet politike dhe publikun se pavarësisht rivalitetit të ashpër SHBA-Kinë në të gjitha fushat, as Shtetet e Bashkuara dhe as Kina nuk përfitojnë nga kaosi rajonal, por edhe ata kanë një interes të fortë të përbashkët për një ekonomi globale të qëndrueshme.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit