Majlinda Angoni pritet të jetë kandidatja e Partisë Socialiste për kryetare të Bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet lokale të 6 marsit, të dekretuara vetëm një ditë më parë nga presidenti Meta.
Aktualisht Majlinda Angoni mban detyrën e prefektes së Shkodrës, post të cilin e mori më 10 shtator të vitit 2020.
Majlinda Angoni, njihet për angazhimin në fushën e biznesit dhe në kontributin e saj në shoqërinë civile, fushë që më pas do të shfaqej me interes në realizimin e objektivave në formësimin dhe zbatimin e politikave publike në vend.
Në vitin 1998, Angoni hedh hapat e parë në fushën e sipërmarrjes duke ngritur “Venice Art”; një biznes i suksesshëm në tregjet konkurruese botërore në prodhimin dhe eksportimin e maskave veneciane.
Ajo është një nga iniciatorët e lëvizjeve të para të gruas në Shqipëri dhe Kosovë. Gjatë viteve 1999-2006 ka qenë themeluese dhe drejtuese e dy Qendrave të Këshillimit në Prizren dhe Pejë, si dhe në vitin 2002 ajo themelon organizatën “Gruaja tek Gruaja”, me qendër në Shkodër duke luajtur një rol të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, fokusuar tek të drejtat e grave dhe të vajzave.