Lulzim Basha në turin që po zhvillon në bazë sot takoi një grup demokratësh në njësinë nr. 2 në Tiranë, ku sulmoi atë që ai e cilëson trekëndëshi i Bermudës, ku përfshin Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën.
“Njëri koordinon sulmin kundër, tjetri e financon foltoren, tjetri e zbaton për të shkatërruar PD-në. Ata janë bashkë, mos kini iluzione.
Rama, Berisha dhe Meta janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë dhe për të shkatërruar PD-në, mos kini asnjë iluzion. Nuk ka opozitë tjetër përveç PD-së në Shqipëri.
Kjo që po bëjmë ne nuk bëhet për hallet personale, por për Shqipërinë dhe shqiptarët, prandaj nuk ka rrugë tjetër.
Ata të tre janë kalorësit e apokalipsit. Janë bërë bashkë për ta mbajtur Shqipërinë peng” tha Basha.
Lideri i PD-së, kishte një akuzë direkte për Sali Berishën. “Pse iu është lidhur gjuha Sali Berishës për të denoncuar oligarkët dhe kriminelet qëkur ka nisur turin e tij personal për hallin e tij personal?
Kemi 6 vite që denoncojmë aferën e inceneratorëve dhe ju e dini mjaft mire që një ministër i Edi Ramës sot është prapa hekurave” tha ai.
/5pyetjet.al