-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Babaramo: Përse nuk funksionoi kërcënimi i Saimir Tahirit: Nuk keni parë gjë akoma!

Kryesoret

Nga Ilir Babaramo

Trajektorja e karrierës politike të Saimir Tahirit ishte nga më mbresëlënëset. Ai që Rama e kishte cilësuar “ministri im kampion” u shfaq për herë të parë në selinë e PS-së diku në fundin e vitit 2005. Korridoret e selisë ishin të zbrazura nga njerëzit e Nanos që kishte dhënë dorëheqjen.

Në zyrën e kryetarit të ri trokiti një 25-vjecar. “Më quajnë Saimir Tahiri. Kam studiuar për drejtësi në Bolonja. Jam një fansi yt dhe kam bindjen se vetëm ti mund ta bësh Shqipërinë”.

Edi Rama e përfshiu menjëherë në stafin e tij të ngushtë. Detyra e parë e Tahirit ishte të dilte çdo ditë para një dërrase të zezë për të treguar denoncimet e opozitës kundër qeverisë Berisha. Tahirit i mungonte karizma dhe elokuenca në komunikim, ndoshta për shkak të natyrës së tij introverse.

Kjo nuk e pengoi të bëhet bashkëpunëtori më i ngushtë i Ramës dhe një nga zërat kryesorë të politikës shqiptare për një dekadë. Këmbëngulës, masovik, Tahiri madje arriti të krijojë një lob të tij brenda PS-sw. Pas zgjedhjeve të vitit 2013, askush nuk kishte pikën e dyshimit se kryetari i PS së Tiranës do ishte ministër i Brendshëm.

Jo vetëm për shkak të pozicionit që kishte në hiearkinë e partisë por dhe prej temperamentit të tij. Duhet të kishte parë shumë filma policorë dhe të kishte lexuar shumë libra të Zhorzh Simeonit. Për këtë arsye, që në atë periudhë, filloi të sillej si një Fushe i ardhshëm shqiptar.

Pas krijimit të qeverisë, Tahiri u bë ndoshta ministri më i mediatizuar. Trukimi i imazhit të policisë ishte qëllimi kryesor i tij në komunikimin publik. Policët rrugorë me mustaqe dhe barkun e kërcyer u zëvendësuan me bjonde të hijshme në çdo kryqëzim të kryeqytetit. Operacioni kundër Lazaratit ishte kulmi i karrierës së tij policore.

“Ministri kampion” u bë krenaria e Ramës por dhe makthi i ministrave të tjerë. Mbështetësit e Tahirit filluan të flisnin gati hapur se PS e kishte tashmë pasuesin në krye të partisë.

Me avantazhet që i jepte informacioni për kolegët e tjerë ministra, ndoshta për shkak të përgjimeve, Tahiri filloi të sillej përbuzshëm ndaj kolegëve, të cilët duke gjerbur kafen e përshkruanin me humor se Saimiri rri me kufje në vesh deri në orët e para të mëngjesit.

Kulmi i karrierës së tij politike arriti kur hyri në zyrën ovale në Shtëpinë e Bardhë. Ishte i vetmi ministër, përveç atij të Jashtëm, që Rama mori me vete në vizitën zyrtare në SHBA.

Disa muaj më pas nisën dhe telashet. Thënia biblike: mos u gëzo o i gëzuar, duket se i shkon më përshtat karrierës së Fushesë shqiptar.  Dy avionë me drogë të rrëzuar njëri në Divjakë e tjetri në Ishëm ndezën sinjalin e alarmit të opinionit publik.

Rama u mundua të përgënjeshtrojë gjendjen. Në një konference të madhe të thirrur gjithë bujë në Pallatin e Kongreseve u deklarua se policia kishte korrur 99.8 për qind të sipërfaqes së mbjellë me kanabis.

Propaganda triumfoi dhe këtë herë. Por gjendja në terren ishte krejt tjetër. Që në çastin e hyrjes në zyrë Tahiri ndryshoi kupolën drejtuese të policisë së Berishës, të famshmin “ansambli çiftelia”. Shefat tropojanë të Nokës u zëvendësuan me tepelenasit e Tahirit. Lazarati u zhvendos në lumin e Vlorës. Industria e kanabisit mori një lulëzim të paparë.

Në jug të vendit të gjithë flisnin për tarifën. Drejtuesit lokalë të policisë merrnin 30 euro për çdo rrënjë kanabisi të mbjellë. Ndërkohë, në mungesë të cash-it, policëve të thjeshtë u jepej nga një çantë me hashash për ta shitur ku të mundnin. Ky ishte fundi i shtetit. Por jo në propagandë. Tejet të rrallë ishin zërat që mund të belbëzonin diçka mediatikisht.

Tahirit i erdhi nga nuk e priste. Si një rrufe të qiell të pastër u bënë publike përgjimet e klanit Habilaj nga prokuroria e antimafies italiane. Në këto përgjime, të cilat dukeshin si halucianacione për mbështetësit  e Tahirit, të përgjuarit flisnin për shifra të frikshme që i kishin dhënë ministrit të Brendshëm shqiptar. Tahiri u mbrojt duke thënë se i kishte kushërinj tejet të largët. Por kundërshtarët i nxorën aktin e shitjes së makinës private pikërisht këtyre kushërinjve të largët.

Prokuroria shqiptare u detyrua të nisë hetimet dhe Tahiri të japë dorëheqjen. Madje prokuroria i kërkoi Parlamentit dhe lejen për hetimin në gjendje arresti të ish-ministrit. Në këtë kohë ndodhën dy gjëra paralel.

Tahiri deklaroi para mediave : Akoma nuk keni parë asgjë. Në opinionin publik u perceptua si kërcënim ndaj Ramës i cili një natë më parë kishte deklaruar se “përgjegjësia e Tahirit është individuale” dhe nuk do të kishte dashur që njeriu i tij më i besuar i tij të ishte “një verrmje njerëzore”.

Të gjithë prisnin se kush do të ishte fati i Tahirit në komisionin parlamentar të mandateve. Shumica qeverisëse i bëri një mbrojtje frenetike duke hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë. Për një kohë të shkurtër Tahiri përdori publikisht një gjuhë të koduar. Por jo për shumë kohë. Mes tyre vunë në lëvizje kanalet okulte të komunikimit.

Befas Tahiri ra në heshtje. Berisha, cili nuk ka lënë gjë pa thënë për të gjallë e të vdekur, deklaroi se Tahiri e kërcënonte Ramën me dosjen e Xibrakës, ku gjithnjë sipas Berishës, është i përfshirë dhe vëllai i kryeministrit. Madje përmendi si mesazherë mes Ramës e Tahirit, emrat e ish-deputetit Dash Peza dhe të Gaz Demit, presidentit të klubit “Partizani”, ku vëllai i Ramës është drejtor ekzekutiv.

Për gati katër vjet u duk se çështja “Tahiri” u harrua dhe dosja e tij do shuhej me kalimin e kohës. Krijimi Gjykatës së Posaçme e ngritur për të gjykuar politikanët e lartë i shoi shpresat e Tahirit. Shumë pyetje mund të shtrohen këtë moment? Sa kanë ndikuar ndërkombëtarët në vendimin e sotëm? A ka pasur pakt për kod heshtjeje mes Ramës dhe Tahirit dhe nëse o cilat do jenë pasojat e prishjes së këtij pakti?

/5pyetjet.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit