Dy muaj më parë në Vlorë qeveria hodhi themelet për ndërtimin e portës së tretë nga qielli. Nisja e punimeve për aeroportin e ri u inaugurua nga vetë i pari i qeverisë dhe shpura me praninë e biznesmenit Behgjet Pacolli, pasi kompania e tij Mabetex është pjesë e konsorciumit. Betimi ishte se me hedhjen e themeleve puna nuk do të ndalej dhe avioni i parë do të ulej në 2024.
Por teksa kryeministri Edi Rama ishte sot në Kukës ku prezantoi linjat e reja të fluturimit në aeroportin sezonal, që i hap dhe mbyll “flatrat” sipas stinëve, “5pyetjet.al” bëri një investigim në terren për të parë se çfarë po ndodh në kantierin e ndërtimit në qytetin bregdetar. Pamjet tregojnë se ora ka mbetur në 28 nëntor 2021. Ceremonia e inaugurimit u mbyll.
Të gjithë u larguan pas tamtameve të mëdha dhe tashmë dy muaj më pas në këtë kantier ndërtimi nuk ka ndryshuar asgjë. Pesë kamionë, një ekskavator dhe disa kontejnerë sikur ishin dy muaj më parë i gjetëm sot.
Asgjë nuk ka lëvizur. Heshtjen e kantierit nuk e thyejnë punimet që duhet të kishte nisur firma, por një gjel, kënga e të cilit është e vetmja që dëgjohet, pasi makinerive u është vendosur kyçi ende pa filluar.
Po qeveria e shikon çfarë bëhet? Në momentin e ceremonisë së hapjes së punimeve, kryeministri vonesën e justifikoi me faktin e pandemisë.
“Në mes na u fut edhe pandemia, e cila se më shumë se çdo sektor goditi sektorin e aviacionit dhe u bë thuajse e pamundur se do të gjendeshin forca e njerëz që do të ishin të interesuara të investonin në një aeroport të ri në kohën që aviacioni lëngonte në kthetrat e armikut të padukshëm” tha Rama.
Po tani, që kompania mori dritën jeshile, pyetja që shtrohet është se çfarë e ka penguar për të nisur punimet?
Për dikë ky këndvështrim mund të duket si padurim, por a është normale që nga fundi i nëntorit kur u lajmërua se puna nisi dhe deri në javën e parë të shkurtit në kantier dëgjohet vetëm gjeli që këndon?
Pas këtij artikulli, dikush, zyrtar apo përfaqësues firme mund të justifikohet me leje që zvarriten apo burokraci të tjera, po nëse është kështu, përse u njoftua me kaq nxitim fillimi i punimeve kur nuk ishte gati? A u përdor inaugurimi i nisjes së punimeve për propagandë atëherë? Pyetjet janë disa që presin përgjigje.
/5pyetjet.al