Presidenti i Kosovës do të ketë pagën më të lartë në vend, ndër funksionarët publikë, bazuar në draftin që ka përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme, për Ligjin për pagat. Edhe pse s’është caktuar vlera e koeficientit, në listën e siguruar nga KOHA, presidenti ka vlerën më të lartë të koeficientit, 20.
Kryetari i Kuvendit dhe kryeministri pasojnë listën me koeficient 19. Bashkë me ta është edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese në vlerë të njëjtë.
Nënkryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri dhe zëvendëskryetari i Kushteuteses kanë koeficient 17, ndërsa deputeti, ministri e gjyqtari i Kushtetueses me koeficient 16.
Qeveria Kurti s’ka bërë të ditur se sa do të jetë një koeficient, që në kohën e Qeverisë Haradinaj ishte 239 euro. Atë kohë ligji ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese për shkak të diskriminimit. Ligji atë kohë kishte më pak koeficientë.
Ligji për Paga pritet të shkojë në Kuvend nga Qeveria në muajin mars. Ende pa u bërë publik, ndaj tij ka pasur reagime e kundërshtime nga disa sindikata që i kanë vlerësuar të padrejtë koeficientet për ta, shkruan koha.net
Mediat: Albin Kurtit do t’i rritet paga nga 1500 në 2280 euro
Gazeta Blic ka publikuar një kopje të këtij projektligji, ku Kryeministri i Kosovës do të ketë koeficientin e pagës 19.
Vlera e një koeficienti ende nuk është saktësuar në projektligj, por Gazeta Blic mëson se ajo do të jetë 120. Pra, nëse shumëzohet koeficienti i pagës, 19, me vlerën monetare të tij, 120 euro, atëherë paga bazë e Kryeministrit Kurti do të jetë 2,280 euro, pa përfshirë këtu shtesat tjera. Paga e tij do të rritet për 780 euro.
Vlerë të njëjtë të pagës pritet ta kenë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kreu i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Presidenti i Kosovës do të qëndrojë më lartë për një koeficient, pra me pagën në vlerën 2,400 Euro.
Paralajmërohen trazira sociale
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës që ta publikojë sa më shpejt draft-Ligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit, me qëllim të shmangies së keqkuptimeve për këtë proces.
FSSHK-ja po ashtu ka bërë të ditur se nuk ka marrë pjesë në hartimin e draftit të këtij ligji, derisa ka paralajmëruar se nëse koeficienti shkon në dëm të punëtorëve shëndetësor, trazirat sociale janë të pashmangshme.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës i bën apel Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më parë të publikojë draft-Ligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit me qëllim të shmangies së keqkuptimeve të cilat mund ta dëmtojnë këtë proces. FSSHK i siguron të gjithë punëtorët shëndetësor se në asnjë moment nuk do të pranojnë asnjë draft e asnjë koeficient që mund të shkojë në dëm të punëtorëve shëndetësorë. Në fund thirrje publike Qeverisë së Republikës së Kosovës, Është momenti i fundit që të reflektoni në mënyrë të sinqertë dhe transparente, përndryshe, trazirat sociale janë të pashmangshme”, thuhet në njoftimin e FSSHK-së.
/5pyetjet.al