Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa pas nisjes së luftës në Ukrainë, pasi sulmi i Rusisë kundër Kievit mund të prekë edhe rajonin e Ballkanit dhe vendin tonë.
Konkretisht, Kryemadhi, tha se duke qenë se Shqipëria furnizohet me ushqime në pjesën më të madhe nga Serbia, e cila është mbështetëse e Rusisë, nëse Beogradi ul traun do të ndikonte te familjet shqiptare.
“Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës janë një kërcënim i hapur i paqes. Këto veprime që janë shkatërrimtare prekin rajonin por jam e bindur që shumë shpejt do të prekin edhe Shqipërinë, ekonominë dhe sigurinë e vendit tonë.
Prandaj komisioni i politikës së jashtme duhet të ketë një mesazh të qartë për të gjithë deputetët, pa dallim dhe ide, të paktën publikisht të gjithë jemi kundër sulmit të Rusisë. Komisioni i Politikës së Jashtme duhet të kishte një qëndrim të qartë. Komunikimi i Shqipërisë duhet të jetë dinjitoz dhe jo qesharak.
Ministria e Bujqësisë dhe Komisioni i Emergjencave duhet të jenë gati, pasi furnizimi i Shqipërisë pjesën më të madhe me ushqime e ka nga Serbia, miell, qumësht dhe shumë produkte të tjera.
Serbia është një nga suportuesit kryesorë të Rusisë, nuk e dimë nëse do të kemi një situatë tjetër me se do të ushqehen familjet e shqiptarëve. Këtë e kisha një sugjerim, pasi në momente të caktuara gjithmonë ngelemi në sekondat e fundit” tha ajo.
/5pyetjet.al